Territori shqiptar do të mbetet nën ndikimin e kushteve të qëndrueshme atmosferike ku moti i kthjellët dhe i ngrohtë do të dominojë në zonat e ulëta dhe përgjatë vijës bregdetare ndërsa me kthjellime dhe vranësira të shpeshta do të karakterizohen zonat malore.
Pjesa e dytë e ditës do të vijojë me kthjellime dhe vranësira të herë pas hershme në të gjithë territorin e vendit. Ky stabilitet i atmosferës do të na shoqërojë edhe gjatë natës. Temperaturat e ajrit do të pësojnë rritje të lehtë si në orët e mëngjesit edhe në orët e mesditës duke luhatur vlerat ditore nga 1°C temperatura më e ulët deri në 21°C vlera maksimale në rang territori.
Era do të fryjë e lehtë dhe mesatare me shpejtësi mbi 30 km/h nga drejtimi kryesisht Veriperëndimor duke gjeneruar në brigjet e Adriatikut dhe Jonit dallgëzim 1 – 2 ballë.
Kosova
Do të mbeten prezente masat ajrore të qëndrueshme duke sjellë mot të kthjellët në pjesën më të madhe të Kosovës gjatë orëve të para të ditës. Pjesa e dytë e ditës do të dominohet nga kthjellime dhe vranësira të shpeshta në të gjithë territorin ku më të theksuara vranësirat do të jenë në zonat Veriore dhe Veriperëndimore. Parashikohet që situata e motit të mbetet stabël deri mëngjesin pas-ardhës. Temperaturat e ajrit do të pësojnë rritje të lehtë si në orët e mëngjesit dhe në të mesditës duke luhatur vlerat ditore nga 0°C minimalja e shënuar përkatësisht në qytetin e Mitrovicës deri në 15°C vlera maksimale e cila do të shënohen në qytetin e Prizrenit. Era do të fryjë mesatare paradite por forcohet gjatë pasdites duke arritur shpejtesinë maksimale deri në 35 km/h nga drejtimi permanent Verior.
Maqedonia e Veriut
Moti i kthjellët do të mbizotërojë në të gjithë republikën e MV, ku më të theksuara kthjellimet do të paraqiten përgjatë zonave në Jug dhe Jugperëndim të territorit ndërsa me alternime kthjellimesh dhe vranësirash të shpeshta do të jetë moti në pjesën tjetër të MV edhe pse vranësirat do të jenë të dukshme në veri dhe verilindje të MV nuk priten reshje. E njëjta situatë e qëndrueshme meteorologjike do të vijojë edhe gjatë natës. Temperaturat e ajrit do të pësojnë rritje të lehtë si në vlerat minimale edhe në vlerat maksimale duke u luhatur nga 0°C vlera minimale e regjistruar në qytetin e Gostivarit deri në 17°C vlera maksimale e cila do të regjistrohet në qytetin e Shkupit. Era do të fryjë mesatare gjatë paradites por forcohet lehtë në pjesën e dytë të ditës duke arritur shpejtesinë maksimale deri në 35 km/h nga drejtimi Verior dhe Veriperëndimor.
Europa
Si pasojë e prezencës së dy qendrave të fuqishme ciklonare përkatësisht në veri dhe verilindje të kontinentit me ndikim deri në Alpet Europiane do të kushtëzojnë, motin në këto rajone ku gadishulli Skandinav dhe Europa Lindore do të kenë reshje të dendura dëbore si edhe ngrica të theksuara. Po ashtu me reshje shiu e dëbore do të paraqitet Europa qendrore por në sasi më të pakta ndërsa pjesa tjetër e kontinentit Europian do të jetë nën ndikimin e kushteve të qëndrueshme atmosferike duke bërë që moti i kthjellët dhe temperaturat relativisht të larta të jenë dominante./abcnews.al