Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Konjufca: Shteti i Kosovës qëndron mbi heroizmin e Jasharajve, urtësinë e Rugovës dhe idealin e Demaçit

 
   

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se pa aleatë, rruga e shtetësisë së Kosovës do të ishte e pamundshme.

Kryeparlamentari, në seancën solemne të Kuvendit, me rastin 16-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, tha se në themelin e shtetit të Kosovës qëndron heroizmi i Jasharajve, urtësia e Ibrahim Rugovës dhe ideali i Adem Demçit.

Konjufca: Pa aleatë, rruga e shtetit tonë do të ishte e pamundshme

“I kemi gjithë në mendje dhe nuk harrojmë t’i falënderojmë miqtë tanë, pa të cilët rruga e shtetit tonë do të ishte e pamundshme, para se gjithash Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pastaj shtetet e Bashkimit Evropian që e përkrahën hapur lirinë e Kosovës. Falënderojmë edhe NATO-në që e ndali gjenocidin e Serbisë mbi popullin tonë, por i falënderojmë edhe të gjitha shtetet që e njohën pavarësinë e Kosovës”, tha Konjufca.

Ndërkaq, theksoi se 17 shkurti është ditë e frymëzimit për secilin qytetarë të Kosovës.

Konjufca: 17 shkurti është ditë e frymëzimit

“17 shkurti është ditë e frymëzimit, prandaj duhet të jetë ditë përkuljesh para atyre që dhanë më së shumti. Përkulemi para atyre që e dhanë jetën për liri, përkulemi para vëllezërve dhe motrave tona që u vranë nga Serbia, vetëm pse ishin shqiptarë. Në themelin e shtetit tonë qëndron heroizmi i Jasharajve urtësia e Ibrahim Rugovës dhe ideali i Adem Demaçit”, shtoi Konjufca.