Sakrifica, flijimi i vajzave dhe djemve të Kosovës dhe rrugëtimi i vështirë për liri u theksuan në përvjetorin e 16-të të shpalljes së pavarësisë. Në seancë solemne, shefat e Grupeve Parlamentare e krerë të shtetit e partive kanë kujtuar komandantin legjendar Adem Jashari, i cili së bashku me familjen e tij u flijuan për lirinë e popullit të vuajtur.
Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila u shpreh se gjatë këtyre ditëve hapësirat e Kuvendit të Kosovës kanë gumëzhuar nga fëmijët të cilët kanë vizituar vendin ku u shpall pavarësia e Kosovës. Ajo përmendi gratë e dhunuara seksualisht dhe nënat të cilat ende presin ndonjë lajm për më të dashurit e tyre.
Kusari-Lila: Fëmijët e Kosovës u sakrifikuan dhe u bën pjesë e flijimit dhe pavdekshmërisë
“Megjithatë, jo shumë larg në historinë tonë edhe fëmijët e Kosovës u sakrifikuan dhe bashkë me heronjtë u bën pjesë e flijimit dhe pavdekshmërisë për lirinë e vendit. Sado të vegjël në moshë ata nuk u kursyen nga terrori dhe vrasja. Për lirinë dhe shtetin tonë u sakrifikuan 1133 fëmijë, prej të cilëve 109 ende të pagjetur. Liria dhe shteti ynë janë të çmuar dhe ashtu sikur vlera e tyre, duhet të jetë përpjekja jonë që historia dhe e kaluara kurrë më nuk përsëriten në këtë nën qiell. Nga ajo çfarë po ndodhë në kontinentin tonë, e kemi të qartë se liria dhe demokracia nuk duhet të marrë për mirëqena. Liria dhe demokracia po rrezikohen. Shtetet autokrate, sikur Rusia, me diktaturë të instaluar sulmojnë shtetet fqinje të pavarura, vrasin oponentët politik të burgosur, ndërsa proksi i tyre tërbohet nga nderimi i shtatë-vjeçares së vrarë në Kosovë, Blerina Jashari”, u shpreh ajo.
Shefja e deputetëve të shumicës parlamentare shtoi se lufta për liri dhe shtet po mbrohet edhe sot në Hagë. Populli liridashës i Kosovës, siç vazhdoi ajo, ka miqtë dhe aleatët e saj të cilat i japin kuptim lirisë dhe shtetit.
E shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri tha se çdo përvjetor duhet të jetë reflektim për të gjithë burrat e gratë që sakrifikuan jetën e tyre për Kosovën.
Tahiri: Presidenti Hashim Thaçi sot nuk e gëzon lirinë e Kosovës
“Presidenti Hashim Thaçi sot nuk e gëzon lirinë e Kosovës, por vepra e tij jeton. Andaj sot jemi mbledhur ta shënojmë 16-vjetorin e kësaj vepre historike. Hashim Thaçi dhe shokët e tij bashkëluftëtarë të UÇK-së, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi e shumë të tjerë janë në betejën e radhës për Kosovën, duke luftuar për drejtësi dhe për ta pastruar emrin lavdi madh të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilin nuk e ndotën asnjëherë propagandat që vijnë si nga jashtë ashtu edhe nga brenda Kosovës. Kjo festë nuk ka kuptim nëse çdo 17 shkurt nuk nderojmë burrat dhe gratë që bën sakrificë të madhe për të ndërtuar një të ardhme të mirë për Kosovën. Nuk ka kuptim nëse çdo 17 shkurt nuk kujtojmë më nderim, që gjithë ata burra e gra që ndër dekada kontribuuan që 17 shkurti të bëhet realitet, që Kosova të bëhet shtet i pavarur e sovran”, deklaroi ai.
Ai përmendi edhe komandantin legjendar, Adem Jashari dhe gjithë djemtë e vajzat të cilat kapën pushkën, siç tha ai, për të mos u kthyer më të gjallë në shtëpinë e tyre.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku në seancë solmne citoi ish-presidentin, Ibrahim Rugova, ku thoshte se shtëpia nuk mbahet pa miq e aleanca.
Abdixhiku: Shtëpia nuk mbahet pa miq, nuk mbahej dje, s’mbahet sot, s’do të mbahet as nesër
“Republika e Kosovës, shtet i pavarur e sovran u bë falë unitetit tonë të brendshëm, lëvizjes paqësor e luftës çlirimtare si dhe mbështetjes ushtarake dhe diplomatike nga jashtë. U bë sepse treguam dhe dëshmuam kulturë të brendshme politike, dhamë të gjithë potencialin tonë kombëtar e krijuam ura bashkëpunimi mes vete dhe me aleatët. Prandaj edhe kapërcyem sfida të pakapërcyeshme më parë. Në këtë ditë të 17 shkurtit dhe jo vetëm, ndjejmë detyrimin tonë për mirënjohje dhe falënderim ndaj aleatëve tanë nga e gjithë bota. Në veçanti mirënjohje të veçantë të gjitha shteteve të aleancës veri atlantike të kryesuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, që në orët më të vështira u gjenden krahë nesh. Shtëpia nuk mbahet pa miq, nuk mbahej dje, s’mbahet sot, s’do të mbahet as nesër”, u shpreh ai.
Më tej, theksoi se aleancat nuk trashëgohen por ruhen e fitohen.
Abdixhiku: Aleancat tona nuk trashëgohen, ato fitohen
“Sikurse liria, edhe aleancat tona nuk trashëgohen, ato fitohen, ruhen, mësohen, e dorëzohen tek brezat e tjerë. Si gjeneratë politike e sotme, e kemi për obligim, jo si borxh detyrimi por si sjellje fisnike, e si besim që këto aleanca t’ua mësojmë breznive që vijnë”, shtoi kreu i LDK-së.
Në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri tha se kombi pati rrugëtim të vështirë.
Tahiri: Qindra mijëra të vrarë e të masakruar
“Mbi 1 milion qytetarë u depërtuan me dhunë nga Kosova, gjysma tjetër në Kosovë të ngujuar, qindra mijëra të vrarë e të masakruar, mijëra gra të dhunuara e pasuria tërësisht e shkatërruar. Mbi këto, njerëzit e këtij vendi, burra e gra u ngritën në solidaritet për mbijetesë. E mbajtën gjallë arsimin, edukimin duke i bërë shtëpitë e tyre shkolla. Duke ndarë shumë pak çfarë patën për të financuar sistemin paralel, sistemin arsimor. Në misionin e me emrin e Nënës Terezë u ushqyen me mijëra familjarë të cilat ishin në varfëri të skajshme dhe u dhanë shumë shërbime shëndetësore”, u shpreh ai.
Tutje, shtoi se lufta për liri kulmoi me shëmbëlltyrën e flijimin e komandantit Adem Jashari dhe familjes së tij.