Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Shahini: Ngecje përgjatë mandatit trevjeçar të Qeverisë, s’ka fuqizim të prodhuesve vendës

Kryetari i Aleancës Kosovare e Bizneseve (AKB), konsideron se ka pasur ngecje përgjatë mandatit trevjeçar të Qeverisë Kurti. Ai për Ekonomia Online, ka përmendur sfidat me të cilat është përballur ekonomia kosovare.

Shahini ka përmendur edhe sanksionet e vendosura nga Bashkimi Evropian si dëmtim tjetër i ekonomisë. Thotë se Kosova rrezikon edhe sanksione tjera nga partnerët ndërkombëtar.

Shahini ka përmendur ngecjet në tri fushat kryesore; zhvillim ekonomik, integrim dhe diplomaci.

“Tri vjet pas qeverisjes ‘Kurti 2’, Kosova ka ngecur në zhvillim ekonomik po ashtu në integrim dhe Kosova për herë të parë jeton me një atmosferë sanksionuese të cilët këto sanksione kanë ardh nga BE, dhe pritet që sanksionet tjera të vinë prapë nga Bashkimi Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, deklaroi Shahini.

“… prandaj ne vlerësojmë që Qeveria Kurti nuk ka arritur t’i përmbush premtimet e veta në tri fusha; në zhvillim ekonomik, integrim dhe ne nuk kemi asnjë njohje që tre vjet e këndej, prandaj Qeveria Kurti do duhej të këndellet mirë që vendi dhe qeverisjen ta dërgojë drejt zhvillimit, drejt integrimit duke bashkëpunuar ngushtë me faktorët ndërkombëtarë në të mirë të qytetarit, në të mirë të ekonomisë dhe në të mirë të gjithë partnerëve më të cilën tashmë jemi në fazën e festimit të 16 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës”, u shpreh Shahini.

Ai sqaroi se inflacioni është i importuar, për shkak se Kosova varet nga importimi i produkteve nga vendet evropiane. Ai përmend edhe faktorët e brendshëm, siç është mungesa e fuqizimit të prodhuesve vendës.

“Inflacioni nuk varet gjithmonë prej Kosovës, janë edhe faktorët e tjerë të cilët kanë qenë në turbulenca të mëdha në ekonominë globale, duke përfshirë luftën në Ukrainë, rritjen e çmimeve, mungesën e prodhimeve dhe rritjen e vazhdueshëm të importit. Qeveria nuk ka arritur që sa në këtë periudhë të fuqizojë prodhimin vendor, ta fuqizojë numrin e rritjes të punësuarve dhe të eksporteve. Pavarësisht eksportit që shënojmë çdo herë rritje, prapëseprapë mbetën të vogla në krahasim me importet”, u shpreh Shahini.