Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Pedofilët gjejnë viktimat në rrjetet sociale! Trendi shqetësues në vend, propozohet ndryshim i Kodit Penal

Një person u arrestua pasi akuzohet se ka kërcënuar seksualisht një vajzë 15-vjeçare përmes rrjeteve sociale

Kur përdorues të rrjeteve sociale po prodhojnë krime që nga gjobë vënia, shantazhi dhe abuzimi seksual, ekspertët propozojnë ashpërsim të Kodit Penal, duke përfshirë vepra të reja.

Një ndër to, në drafin e këtyre propozimeve është edhe dënimi ndaj kujtdo që komunikon virtualisht me qëllimin për të detyruar dhe frikësuar personin tjetër. Kur ky person kryen keqpërdorim të të dhënave personale, duke dëmtuar shëndetin, apo shpërndan materiale të aksesueshme nga të tjerët duke e degraduar në opinionin publik do të dënohet nga një deri në katër vite burgim.

Kur nga përdorimi i rrjeteve sociale shkaktohet vdekja e viktimës , autori do të dënohet me burg në varësi të fajit. Por me gjithë propozimet, diskutimet publike nuk kanë nisur ende dhe sakaq keqbërësit kibernetikë po shkaktojnë viktima.

Një 27-vjeçar që punonte shofer në ngarkim shkarkim, është i arrestuari i radhës nga policia e Tiranës, që akuzohet se ka shantazhuar në “Tik tok” një të mitur të cilës i kërkonte fotografi intime. Policia njoftoi se gjimnazistja kërkoi ndihmë pasi për dy javë u kërcënua se nëse nuk i dërgonte fotografi nudo, ai do realizonte fotomontazh përmes inteligjencës artificiale.

Policia raporton se krimet kibernetike vitin e kaluar u trefishuan, dhe se ka administruar 650 denoncime, duke nisur ndaj mashtruesve deri tek maniakëve. Në një nga dosjet që TCH disponon, një shtetas me banim në Gjermani udhëtoi drejt Shqipërisë pasi i njohu viktimat e radhës në rrjetet sociale.

Pasi u prezantua me identitet tjetër, policia e identifikoi si Jose Castillo. I akuzuari rrëmbeu 10 mijë euro pasi iu hodhi neurolaparalizues viktimave ndërkohë që ndaj 42 vjecarit prokuroria e Tiranës kërkoi nëntë vite burgim.

Prokuroria tha se i riu nga Hondurasi i njohur dy shqiptarët në rrjetin social Facebook. Ai komunikoi me ta përmes ‘google translate’ dhe u shtir si një biznesmen që shiste automjete. Policia shkencore nuk qe në gjendje të zbulonte se për çfarë neuroparalizuesi bëhet fjalë ndërsa i dyshuari u kap në kufi për mos deklarim të të ardhurave me një identitet tjetër.

Rasti më i rëndë nën hetim është ai ndaj Altin Çokut që dyshohet se shtyu në vetëvrasje një 27 vjeçare, të cilës i publikoi një fotografi në TikTok.