Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

“Kobër për armiqtë, qingj për miqtë”, përshkroi Prokuroria profilin e të akuzuarit Dibran Hoxhaj

 
   

Prishtinë-Prokurorja e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Merita Bina-Rugova, në aktakuzën e ngritur ndaj Dibran Hoxhajt i vetëquajturi “Kobra”, ka përshkruar profilin dhe siç thuhet nivelin e arrogancës së tij, çka sipas saj, ka çuar deri tek vrasja e shtetasit të Shqipërisë.

Sipas Prokurorisë, i pandehuri Dibran Hoxhaj e ka kryer veprën e vrasjes në mënyrë jashtëzakonisht të paskrupullt dhe të dhunshme, pa asnjë fjalë, bisedë apo shpjegim ka qëlluar në njerëz të panjohur, për të demonstruar fuqinë dhe paprekshmërinë e tij.

E sipas Prokurorisë, për të kuptuar nivelin e tillë të arrogancës dhe brutalitetit, duhet të merret parasysh personaliteti i tij i krijuar ndër vite.

“I pandehuri ka gëzuar një lloj popullariteti, jo vetëm në Kosovë por edhe më gjerë. Ka qenë shumë prezent në rrjetet sociale duke u paraqitur si person shumë i fuqishëm, “kobër për armiqtë, qengj për miqtë”, thuhet në përshkrimin që ka bërë prokurorja në aktakuzë, të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”.

“Kobra” thuhet se ka qenë vazhdimisht i rrethuar me djem të rrezikshëm, me vetura të shtrenjta, “Kobra King,” e i mbuluar me ari.

“Për të janë incizuar emisione televizive në Kosovë dhe Shqipëri, e disa vite më parë i është kushtuar edhe një këngë e quajtur “Kobra City Dibran Hoxhaj” që e lartëson personalitetin e tij”, përshkruhet tutje në aktakuzë.

“Ne jemi bosa numër një, ne e dridhim krejt Shqipërinë, bukuroshet në Kosovë, Kobra City n’Prizren, janë të bukura si model, Dibran Hoxhaj kallet krejt”, citohet të thuhet në këngën kushtuar atij.

Në vlerësimin e Prokurorisë, viktimat janë ndëshkuar sepse i pandehuri Dibran Hoxhaj ka konkluduar që e kanë dëmtuar imazhin e tij, të personit të paprekshëm, që nuk falë gabime.

“Pra, sipas të pandehurit, reputacioni i tij në shoqëri vlen më shumë se jeta e të dëmtuarve! Prandaj, kur reagimi është në atë masë joproporcional me shkakun, kur rezulton me nxitje te fortë për hakmarrje radikale, madje për ndëshkim më të rëndë – me marrjen e jetës, atëherë ky motiv duhet te konsiderohet si i ulët”, është vlerësuar në aktakuzë.

Sipas Prokurorisë, kryerja e veprës penale të vrasjes në rastin konkret ka qenë demonstrimi i fuqisë, i paprekshmërisë dhe dërgimi i kërcënimit për të mbijetuarit por edhe për personat e tjerë në të ardhmen se çfarë i pret nëse e kundërshtojnë sado pak.

Prokuroria thotë se sipas dëshmitarëve, “Kobra”, as nuk ka pyetur se si ka ndodhur konflikti, kush e ka fajin dhe as nuk ka qenë i revoltuar apo i shqetësuar por reagimi i tij ka qenë gjakëtohtë dhe i pakompromis.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.