Pas vendimit të Kosovës për dinarin serb, Presidenti Aleksandar Vuçiq kishte kërkuar që kjo cështje të diskutohet në Bruksel. Por nga BE-ja u përgjigjën duke thënë se aktualisht, nuk mund të ofrojnë një rund të ri të bisedimeve. E njohësit e fushës thonë se s’ka çfarë të diskutohet aktualisht, vecse zbatim të marrëveshjeve të arritura.
Vendimi i fundit i Bankës Qendrore të Kosovës për dinarin, ka nxitur reagime të shumta nga në Serbi.
Së fundmi presidenti serb Aleksandar Vuçiq kërkoi që këtë çështje ta shtrojë në tryezën e bisedimeve në Bruksel.
Por zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se në këtë moment nuk mund të shpallin një rund të ri të dialogut të nivelit të lartë.
“Nuk kemi asgjë në bazë të së cilës mund ta shpallim një dialog të mundshëm të nivelit të lartë. Nuk mund të flasë për atë që Vuçiq, nuk ka asgjë më shumë për të deklaruar përveç asaj që ka prezantuar Borrell pas takimit me Kurtin dhe Vuçiqin në Mynih”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
E profesori universitar Dritëro Arifi vlerëson se aktualisht nuk ka se çfarë të diskutohet mes dy palëve, vecse të implementohen marrëveshjet e arritura.
Por njohësi i çështjeve politike Albinot Maloku thotë se është larg fundi i procesit të dialogut, për shkak se mungon marrëveshja për njohje reciproke në qendër.
Televizioni ka kërkuar një qëndrim edhe nga Qeveria e Kosovës nëse do të pranonin një takim të nivelit të lartë në Bruksel, por që deri në publikimin e kronikës nuk ka pasur përgjigje.