Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë mbrëmë se organet kompetente shtetërore do të ngrenë aktakuzë për rastin Banjsko “në përputhje me ligjin për vepra të caktuara penale”.
Vuçiq tha për Radiotelevizionin e Serbisë (RTS) se për këtë temë ka folur dje me kryetarin e Këshillit Evropian, Charles Michel, dhe ka shtuar se mund të ngrihen aktakuza për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.
Vuçiq pretendon se serbët që u përleshën me policinë e Kosovës në Banjskë ishin “të ndjekur si bisha”.
“E si mund të ngrehin aktakuzë për diçka tjetër kur ata njerëz do të thonë “ne e bëmë punën tonë sepse sipas rezolutës 1244, Kosova i takon Serbisë dhe atje duhet të ketë deri në 1000 pjesëtarë të ushtrisë dhe policisë serbe dhe ne duhet të mbrojmë vatrat tona dhe vendin tonë në përputhje me Kushtetutën”. Dhe çfarë t’u themi, për këtë ju do të dënoheni dhe të pranojmë që Kosova është shtet i pavarur dhe t’i gjykojmë nga ky këndvështrim”, ka pretenduar Vuçiqi, paraprakisht duke paragjykuar se ata “janë të pafajshëm”.
“Atyre njerëzve u është premtuar, u kam sjellë një premtim nga evropianët dhe amerikanët, se askush nuk do t’i ndjekë pas barrikadave në nëntor, dhjetor”, ka thënë Vuçiq.