Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

I dyshuar për vrasje në Oslo dhe i lidhur me ISIS-in: Kush është Visar Avdyli, i arrestuar në Kosovë?

 
   

Në tetor të vitit 2021 në Oslo kishte ndodhur një vrasje. Jetën e kishte humbur 20-vjeçari, Hamse Adan.

Për këtë krim të kryer ishin shpallur nga institucionet e Norvegjisë dy vëllezër me prejardhje nga Kosova, Visar dhe Valon Avdyli.

Sipas Policisë së Norvegjisë, një ditë pas krimit, dy vëllezërit ishin parë për herën e fundit teksa po vinin për t’u fshehur në Kosovë.

Megjithatë, fshehja nuk u zgjati shumë. Valon Avdyli ishte arrestuar në nëntor të vitit të kaluar në Turqi, dhe më pas ishte dërguar për në Norvegji.

E vëllai i tij, Visari, është arrestuar sot në Ferizaj, ka njoftuar Policia e Kosovës.

“Personi i arrestuar, me inicialet V.A., i lindur në vitin 1989, ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet norvegjeze për veprën penale “vrasje” të kryer në Oslo më 07.10.2021. Personi i arrestuar përveç shtetësisë kosovare, posedon edhe shtetësi norvegjeze, ndërsa në momentin e arrestimit të njëjtit i është gjetur një armë zjarri si dhe disa pasaporta të shteteve të tjera të cilat me gjase janë te falsifikuara”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Dy vëllezërit kishin të kaluar kriminale. Ata ishin dënuar për bashkëpunim e lidhje me organizatën terroriste ISIS, atje ku kishte humbur jetën edhe vëllai tjetër i tyre, Egzon Avdyli.

Vrasja e vitit 2021 dhe arratisja

Më 7 tetor të vitit 2021 Oslo ishin tronditur nga një vrasje. Jetën kishte humbur Hamse Adan, i cili ishte qëlluar me armë zjarri afër shkollës në vendin që njihet Lofsrud.

Institucionet e Norvegjisë menjëherë kishin shpallur në kërkim dy të dyshuarit kryesor: Valon e Visar Avdyli me prejardhje nga Kosova.

Mediat norvegjeze kishin raportuar se një ditë pas krimit dy vëllezërit ishin arratisur për në Kosovë, ku dyshoheshin se janë fshehur.

Megjithatë, në nëntorin e vitit të kaluar, Valoni ishte arrestuar në Turqi. Policia e Norvegjisë kishte mbajtur edhe një konferencë për media pas arrestimit.

“U ndanë burime të mëdha për të hetuar rastin. Dy ditë pas vrasjes, vëllezërit u larguan nga vendi. Disa ditë më vonë ne patëm një përparim në këtë çështje që do të thotë se ne i akuzuam ata për vrasjen”, pati thënë prokurori i policisë Børge Enoksen në konferencën për shtyp.

“Policia norvegjeze ka ndihmuar në këtë transport. Ai zbarkoi në Gardermoen pak para orës 17:00 dhe është arrestuar për vrasjen e Adanit. Tani ai është rrugës për në stacionin policor për të shpjeguar veten për rastin”, kishte deklaruar Enoksen.

Në atë konferencë, ishte përmendur edhe Kosova.

“Për arrestimin e tij janë përdorur burime të mëdha. Më pas ai u kontrollua nga autoritetet turke pasi nuk kishte letrat e duhura. Kemi marrë një mesazh nga Turqia dhe kemi punuar ngushtë me Kosovën. Ne kemi punuar në mënyrë të qëndrueshme. Është e rëndësishme të jesh i durueshëm dhe të kesh këmbëngulje me kalimin e kohës”, tha ai.

Aso kohe, vëllai i Valonit, Visari vazhdonte të ishte në arrati.

“Ai është edhe në kërkim ndërkombëtar, kështu që lëvizjet do të mund të përgjohen pa hyrë në detaje”, thotë ai për VG.

Avokati i dy vëllezërve, Svein Holden, kishte thënë se klientët e tij e mohojnë fajësinë.

Të dënuar për terrorizëm

Të dy vëllezërit kanë qenë më parë të dënuar për terrorizëm në Norvegji.

Në vitin 2016, dy vëllezërit u bënë të parët në Norvegji që u dënuan sipas seksionit të ri të terrorizmit.

Valon Avdyli u dënua për pjesëmarrje në organizatën terroriste IS, ndërsa Visar Avdyli u dënua se kishte tentuar t’i ofronte mbështetje materiale IS-it përmes vëllait të tretë, Egzon Avdylit.

Në aktgjykimin ndaj Valon Avdylit, Gjykata e Lartë shkruan se Avdyli ka ardhur në Norvegji si pesëvjeçar dhe se është rritur në Bærum. Ai ka një diplomë bachelor nga kolegji i marketingut dhe, sipas vendimit, u bë një musliman praktikues në vitin 2011. Më pas thuhet se ai ishte betuar për besnikëri ndaj IS.

Egzon Avdyli, tjetër vëlla i Valonit e Visarit, vdiq duke luftuar për IS në prill 2014.

Policia kishte thënë më parë se nuk sheh asnjë lidhje mes dënimeve të mëparshme dhe vrasjes së Mortensrud.