Dy kryenegociatorët e dialogut Kosovë- Serbi janë ftuar nga Bashkimi Evropian që të diskutojnë javën e ardhshme për dinarin serb.
Këtë e ka bërë të ditur udhëheqësi i dialogut nga pala kosovare, Besnik Bislimi.
Ai ka thënë se personalisht nuk do të merr pjesë, pasi sipas tij, ky nuk është diskutim në të cilin duhet të shkoj kryenegociatori.
“Jo nuk ka kurrfarë zhvillimi, ka një kërkesë nga Brukseli që të mbahet një takim javën e ardhshme për çështjen e rregullimit të transferit të monedhave nga Serbia për Kosovë, por ky nuk është takim ku duhet të shkojë kryenegociatori për arsye se çështja e dinarit nuk është pjesë e dialogut, unë shkoj atëherë kur diskutohet për marrëveshjen bazike kështu që do shohim se kush mund të shkojë që të bisedoj për çështjen e dinarit por që nuk është nga ekipi i kryenegociatorit”, u shpreh Bislimi.
Ai këto komente i bëri derisa u pyet nga gazetarët nëse do të ketë një takim të ri në procesin e Dialogut Kosovë-Serbi.
Bislimi ka thënë se ftesa i ka shkuar nga ndërmjetësi Lajçak, mirëpo ftesën e ka cilësuar të njëanshme nga BE-ja.
“Zotëri Lajçak më ka dërguar shkresën mua sepse vazhdimisht komunikon me mua. Por kësaj radhe mendoj që ai i ka shkel parimet të cilat i ka vendosur vet për arsye që është hera e parë që ka caktu një takim pa dakordim me palët dhe është munduar që të përcaktoj edhe agjendën përkundër parimit që ai ka vendosur në vitin 2021 që asnjë temë nuk vendoset në agjendë pa dakordim të palëve. Por ftesa ka ardhur në adresën time”, tha Bislimi.
I pyetur se kush mund të shkoj në këtë takim, ai është përgjigjur shkurt.
“Kur të caktojmë, iu informojmë”.