Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Komandanti i Gardës së Ajova-s bashkë me gjenerallejtënant Jashari shohin nga afër kapacitet e FSK-së

 
   

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari së bashku me komandantin e Gardës së Ajova-s, gjeneral major Stephen E. Osborn, zhvilluan një vizitë të mërkurën në Shtabin e Përgjithshëm të FSK-së.

Gjatë kësaj vizite, siç thuhet në njoftimin zyrtar të FSK-së, ata diskutuan për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Gardës Kombëtare të Ajova-s për tre vitet e ardhshme.

Në fokus të bisedave ishin planet dhe objektivat e përbashkët, duke përfshirë fushat e manovrës, mbështetjes logjistike, mjekësisë, kibernetikës dhe trajnimit të nënoficerëve.

Pas bisedave në Shtabin e Përgjithshëm, gjenerallejtënant Jashari dhe gjeneral major Osborn së bashku me delegacionet e tyre, vizituan Regjimentin e Tretë të Këmbësorisë së Forcave Tokësore në Mitrovicë.

Gjatë vizitës, ata patën mundësinë që të shihnin demonstrimin e aftësive luftarake në poligonin e trajnimit të regjimentit, përfshirë mbështetjen me zjarr, operacionet sulmuese si dhe praktikat e zbulimit dhe raportimit në fushën luftarake.

Forcat Tokësore të FSK-së po zhvillojnë aktivitetet sipas Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit (PGJT) me qëllim të validimit të kapaciteteve luftarake.