Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

“Nuk do të ketë takime të nivelit të lartë”/ Deklarata e fundit nga Stano-s, analistët kanë një paralajmërim rreth dialogut Kosovë – Serbi!

 
   

Vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës për heqjen nga qarkullimi të valutës serbe “dinar”, ka bërë të mendohet se një takim ndërmjet palës së Kosovës dhe asaj serbe nuk do të jetë larg.

Mirëpo për të njëjtin, nuk ka asnjë datë të caktuar.

Është vet zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, i cili ka bërë të ditur se aktualisht nuk ka plane për një raund të radhës dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Stano tha se në këtë fazë s’do të ketë takim të nivelit të lartë.

“Aktualisht nuk disponojmë me bazën e nevojshme për të njoftuar seancën e ardhshme të dialogut në nivel të lartë,” u shpreh ai.

Nga ana tjetër, Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë sot se ka pranuar një ftesë nga Brukseli, për Rregulloren e Re të Bankës Qendrore të Kosovës që parasheh se monedha e vetme në Kosovë për pagesa të jetë euro, por që ka refuzuar pjesëmarrjen.

Ai ka deklaruar se nuk do të jetë pjesëmarrës në këtë takim, pasi “çështja e dinarit nuk është pjesë e dialogut”, duke shtuar se do të vendoset javën e ardhshme se kush do të shkojë.

“Jo nuk ka kurrfarë zhvillimi, ka një kërkesë nga Brukseli që të mbahet një takim javën e ardhshme për çështjen e rregullimit të transferit të monedhave nga Serbia për në Kosovë por ky nuk është takim ku duhet të shkojë kryenegociatori për arsye se çështja e dinarit nuk është pjesë e dialogut. Unë shkoj atëherë kur bisedohet për dialogun. Do të shohim se kush do të shkojë”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se për këtë takim nuk ka pasur dakordim, derisa ka akuzuar emisarin evropian, Miroslav Lajçak se ka shkelur parimet që i kishte vendosur vetë.

“Lajçak më ka dërguar shkresën mua sepse vazhdimisht komunikon me mua. Por kësaj radhe mendoj që ai i ka shkelur parimet që ai i ka vendosur vetë sepse është hera e parë që ai ka caktuar një takim pa dakordim parapake me palët dhe është munduar që të përcaktoj agjendën përkundër parimet që ai ka vendosur në vitin 2021 që as një temë nuk vendoset në agjendë pa dakordim të palëve”, ka thënë Bislimi.

Vlen të theksohet që edhe kryeministri Kurti është deklaruar që është në gatishmëri për të nënshkruar marrëveshje, nëse edhe Serbia është e gatshme.

Mehazi: Dialogu Kosovë – Serbi, nuk ka vëmendjen e duhur momentalisht nga ndërkombëtarët

 Image
 Sulejman Mehazi 
 

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur profesori Sulejman Mehazi.

Ai thotë se deklarata e Stanos do të thotë që dialogu Kosovë- Serbi nuk do të jetë në qendër të vëmendjes për shkak të zgjedhjeve të SHBA dhe BE.

“Deklarata e zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, se “në këtë fazë nuk do ketë takim”  dialogues në mes Kosovës dhe Serbisë e ka kuptimin e zgjedhjeve presidenciale në SHBA dhe zgjedhjet parlamentare në BE  që do mbahen gjatë këtij viti, 2024 dhe se brengat amerikane e evropiane do jenë zgjedhja e presidentit të ri në SHBA dhe zgjedhja e deputetëve të ri në Parlamentin e BE-së dhe se dialogu në mes Kosovës e Serbisë do lihet pas këtyre zgjedhjeve të mbajtura në SHBA dhe BE.

Zëdhënësi i BE-së, Stano, na bën me dije se përkohësisht dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë do jetë në out dhe se i gjithë koncentrimi i dy fuqive të mëdha të SHBA-ve dhe BE-së do jetë se kush do udhëheq SHBA-në  gjatë katër viteve të ardhshme dhe cilët do zgjidhen deputetë të ri në parlamentin e BE-së”, u shpreh ai.

Më tej, profesori thekson që mos angazhimi i BE-së për të mos takuar Kurtin me Vuçiqin na detyron të mendojmë se mos ndoshta BE-ja është pajtuar që Serbia me ndihmën e Rusisë të përhapë një luftë të re në Ballkanin Perëndimor.

“Problemi tjetër është se ky mos takim i Kurtit me Vuçiqin më shumë i konvenon Serbisë, sa më larg dialogut me Kurtin aq më mirë për Serbinë për të fituar sa më shumë kohë për trazira e jo për paqe. Mos angazhimi i BE-së për të mos takuar Kurtin me Vuçiqin na detyron të mendojmë se mos ndoshta BE-ja është pajtuar që Serbia me ndihmën e Rusisë të përhapë një luftë të re në Ballkanin Perëndimor, pasi hapur vërehen kërcënimet serbe në Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë dhe në Mal të Zi”, foli profesori Mehazi për “Bota sot”.

Duhanaj: Kosova po humbë me vonim të dialogut

 Image
 Leon Duhanaj 
 

Ndërsa, analisti politik, Leon Duhanaj në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është stërzgjatur shumë dhe se Kosova është i vetmi vend që pa bërë agresion dhe dëm, po vazhdon të jetë nën sanksione.

“Tani me edhe vetë kohën e kemi si dëshmitar,  se sa me shumë që ka zgjatur agonia e bisedimeve të stërzgjatura pa epilog, ka qenë posaçërisht Kosova e cila ka humbur. Nëse shqiptarët do të kishin pjekuri dhe emancipim politik  me siguri do ta pyesnin veten; si ka mundësi që, Kosova të jetë i vetmi vend në botën e civilizuar nën sanksione ndërkombëtare, pa bërë asnjë agresion, apo asnjë veprim të dëmshëm karshi fqinjëve apo kujtdo qoftë, përveç që i bëri dhe vazhdon t’i bëj dëme të pariparueshme, vetvetes  dhe interesit shtetëror dhe kombëtarë”, tha ai.

Në fund, analisti nënvizon që duhet një ndryshim në qeverisje në mënyrë që të mos dëmtohet procesi i dialogut.

“Nuk besoj që e gjen edhe një shembull, të ngjashëm në botë, ku qytetarët e vendosin fatin kolektiv në shërbim të egove të sëmura të liderëve, siç e bëjnë shqiptarët.  Uroj që kjo të mos ndodhë përfundimisht, dhe që shqiptarët të këndellen duke menduar për të morën e përbashkët,  për të mirën e përgjithshme,  e duke hequr dorë nga fati i robit, nga mentaliteti i skllavit, sepse nëse nuk ndodhë një  ndryshim i shpejt, do ta dëmtojmë procesin pariparueshëm”, përfundoi Duhanaj për “Bota sot”.