Janë bërë më shumë se një muaj që nga grumbullimi i nënshkrimeve për shkarkimin e katër kryetarëve shqiptarë në komunat e veriut. Në KQZ thonë se po punohet me intensitet në procesin e verifikimit të nënshkrimeve.
Kryetari aktual i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, flet për parregullsi që sipas tij, janë evidentuar gjatë procesit të peticionit. Ndërkaq, ai nuk e përjashtoi mundësinë që të garojë sërish për kryetar të kësaj komune.
“Po ka pas parregullsi ka qenë vendi ku i kanë mbledhë nënshkrimet nuk ka qenë i paraparë aty pra ajo nuk ka qenë në rregull ndërsa për të tjerat do të vendosë KQZ-ja, ndoshta do të kandidoj prap unë nuk e vendos vet këtë çështje janë organet e partisë”, tha Atiqi.
Ministri i pushtetit lokal Elbert Krasniqi, tha se gjithçka po shkon sipas udhëzimit administrativ dhe se kjo çështje tashmë është në dorën e KQZ-së.
“Jo nuk ka zvarritje të procesit tashmë është në dorën e KQZ-së, gjithçka po shkon sipas udhëzimit administrativ, nuk mund t’i japim këso cilësime zvarritje sepse tashmë vendosë KQZ-ja, po verifikohen nënshkrimet”
Për ish-nënkryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziun, çështja e peticionit për shkarkimin e kryetareve në komunat veriore, është humbje kohe, pasi sipas tij, mungon elementi kryesor, e që është arsyeja e shkarkimit.
“Ndoshta edhe po zvarritet qëllimisht por ajo çka mund të them është se 90% do të dështoj sepse për të shkarkuar kryetarët duhet të ketë arsye këta nuk e kanë një arsyetim sepse kryetarët nuk e kanë shkelë ligjin apo kushtetuën, pra mungon aryeja, dhe mendoj që do të dështoj”, tha Kryeziu.
Në rast se KQZ-ja verifikon legjitimitetin e peticionit, organizohet votimi për shkarkimin e kryetarëve në veri, ku kërkohen 50 për qind, plus një votë e qytetarëve. Pas kësaj, presidentja Vjosa Osmani, ka një afat ligjor prej 30-45 ditë për të shpallur zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veriore.