Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

“SPAK të hetojë”, Belind Këlliçi reagon ashpër për situatën te varrezat e Tufinës: Kocka njeri të mbështjella me qese, krimi i radhës nga…

Në një dalje publike Belind Këlliçi, në emër të Rithemelimit denoncoi Bashkinë e Tiranës, për situatën në varrezat e Tufinës.

Sipas tij, është e papranueshme dhe e patolerueshme që të shohësh imazhe të tilla, me mbeturina dhe qese që mbështjellin kocka njerëzore.

Ai i bëri thirrje SPAK që të hetojë rastin.

Këtë deklaratë dua ta nis me një ndjesë për të gjithë qytetarët që na ndjekin, për këto pamje tronditëse të cilat po shfaqim, por qytetarët shqiptarë dhe në veçanti banorët e kryeqytetit, duhet të dinë të vërtetën dhe se nga kush drejtohet sot Bashkia Tiranë.

Ky institucion për fatin tonë të keq, tashmë është kthyer në strofkullën e lajmeve të errëta e këtë radhë të kobshme. Në institucionin ku do të duhej të zgjidheshin hallet dhe problemet e rreth gjysmës së popullsisë së Shqipërisë, jo vetëm që qytetarët vidhen në mënyrë sistematike, por sot jemi të skandalizuar nga një ngjarje makabre, e cila është në kufijtë e krimeve kundër njerëzimit. Krimi i radhës në Bashkinë Tiranë, nuk ka të bëjë këtë herë me të gjallët, por me ata të cilët janë larguar nga kjo botë. Këto pamje janë publikuar mbrëmjen e djeshme, nga emisioni investigativ “Piranja”, në varrezat e Tufinës.

Në këto pamje të tmerrshme të cilat mund t’i shohim vetëm në skenarë filmash horror, apo pamje të regjistruara në fushë betejat e luftrave botërore, shihen qartë mbetjet e fëmijëve të cilët kanë humbur jetën disa vite më parë. Është e papranueshme dhe e patolerueshme të shohësh imazhet e disa qeseve mbeturinash, që mbështjellin kocka njerëzish me dhe pa emër, si të jenë pamjet e tmerrshme të ushtarëve të vrarë në luftë, hedhur kapicë nga kundërshtari në front. Kjo barbari, ky dhunim monstruoz i dinjitetit njerëzor, e çon Bashkinë Tiranë në një tjetër podium, nga institucioni më i korruptuar në Europë, tashmë në institucionin më barbar të Europës!

Përgjatë gjithë historisë, mënyra se si të ikurit nga kjo botë trajtohen, shpesh ka dëshmuar gradën e civilizimit të shoqërisë. Ajo ç’ka pamë nga investigimi i programit “Piranja”, është një krim makabër, mohimi i të cilit paturpësisht shton neverinë ndaj mungesës së humanizmit dhe shkeljes së ligjeve të shkruara e të pashkruara. Keqtrajtimi, që u bëhet trupave të vdekur, të hershëm a të vonë, shkakton një revoltë, që nis nga thellësia e psiqikës sonë, sepse shkon kundër pritshmërisë thelbësore të qytetarisë për të trajtuar të vdekurit me respekt, nder e dinjitet. Nuk ka fjalë të cilat mundet të justifikojnë mosveprimin e organeve ligjzbatuese në këtë rast. Partia Demokratike do të kallëzoje në SPAK sërish këtë javë Erion Veliajn, pasi nga sa përcaktohet në ligj, zhvarrimet bëhen me lejen e Kryetarit të Bashkisë dhe depozitimi bëhet në një ndërtesë specifike.

SPAK në fakt do duhej të zbarkonte që mbrëmë në zyrat e Bashkisë Tiranë dhe të bënte shembull përgjegjësit e këtij skandali të paimagjinueshëm, i cili ka tronditur çdo qytetar të Tiranës e jo vetëm. Por mesa duket, gjumi letargjik që ka kapur organin e akuzës, dhe frika nga kryebashkiaku i Tiranës, vijon ta mbajë këtë institucion në krahun e keqbërësve dhe të korruptuarve.