Arrestimi i 3 fëmijëve të Pëllumb Metës duket se nuk i ka mbyllur ende “hesapet” mes familjarëve të të ndjerit dhe bashkëshortes së tij.
Mësohet se policia e Durrësit ka marrë në mbrojtje bashkëshorten e Pëllumb Metës, që u vra nga djali 24-vjeçar Hysen Meta.
Blerina Meta nuk është lejuar të merrte pjesë në ceremoninë mortore të burrit të saj, pasi policia i trembej ndonjë konflikti të mundshëm mes vëllezërve të Pëllumbit dhe kunatës së tyre.
Ndërsa 49-vjeçarja po hetohet në gjendje të lirë për ngjarjen, policia e Durrësit e ka shoqëruar deri në familjen e babait të saj në Laç.
Në ceremoninë e varrimit ka marrë pjesë vetëm vajza e madhe e familjes, e martuar në Krujë, ndërsa 2 vëllezërit e saj dhe motra ndodhen pas hekurave, të akuzuar për vrasjen e planifikuar të të atit.
Dëshmia e djalit që vrau të atin
24-vjeçari Hysen Meta i arrestuar një ditë më parë për vrasjen e babait të tij në fshatin Shënavlash të Durrësit ka rrëfyer për hetuesit të gjithë dinamikën e ngjarjes. Ai thotë se gjithçka ka qenë e planifikuar me motrën e tij, Hygertën 19-vjeçare dhe se nëna dhe vëllai i vogël nuk ishin në dijeni.
“Vrasjen e kishim planifikuar më herët së bashku me motrën. Vendosëm për ditën e shtunë, 10 shkurt sepse ishim të gjithë pushim. Babi ndodhej në një nga dhomat e shtëpisë i shtrirë. Në shtëpi ishim vetëm unë motra dhe vëllai tjetër. Mami po merrej me punët jashtë shtëpisë. Më herët kishim siguruar të gjithë materialet që na duheshin për të mbështjellë trupin. Unë e qëllova babin 4 herë në trup. Aty ishte dhe motra ndërsa vëllai i vogël hyri në dhomë vetëm pasi dëgjoi të shtënat”.
Më pas ka rrëfyer të gjitha lëvizjet për të fshehur krimin, ndërsa trupin e groposën pranë kasolles së lopës. Armën e hodhën në një kanal pranë shtëpisë ku edhe u gjet më pas nga policia.
“Nuk u ndikuam nga situata dhe të tre vepruam për ta mbështjellë dhe groposur. Dy ditë më pas lëviza makinën e babit drejt pishave në sektorin Rinia. Në kthim më mori vëllai. Donim që të besohej zhdukja e tij. Më pas me 13 shkurt vendosa të denoncoj zhdukjen e babit”.
Motivet e krimit ende të paqarta
Motivet e krimit të rëndë mbeten të paqarta për hetuesit të cilët po hetojnë mbi sjelljen e familjarëve, por Hysen Meta jep si shkak sjelljen e të atit.
“Ai ishte autoritar dhe i padurueshëm në familje. Nuk kishim rrugë tjetër. Mami nuk ka pasur dijeni për ngjarjen”.
Hetuesit dyshuan se nuk kishin të bënin me një zhdukje, pasi qelizat telefonike tregonin se aparati celular i tij ishte në banesë dhe gjatë ditëve të zhdukjes asnjë nga fëmijët nuk e kishin telefonuar, edhe pse e kishin denoncuar si të zhdukur.
Fillimisht për vrasjen e 50-vjeçarit u arrestua vajza e tij Hygerta, por hetimet zbuluan se e përfshirë ka qenë pothuajse e gjithë familja. Në qeli po mbahen të tre të rinjtë ndërsa nëna po hetohet në gjendje të lirë.
Kjo e fundit është marrë tashmë në mbrojtje nga policia dhe është dërguar pranë familjes së saj në Laç për të shmangur konfliktet me familjarët e viktimës.