Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

“Na thoshte do t’ju djeg me benzinë”, flet gruaja e Pëllumb Metës që u vra nga djali i tij

Blerina Meta, gruaja e Pëllumb Metës, 50-vjeçarit i cili u vra dhe u gropos nga fëmijët e tij, ka dhënë versionin e saj për rastin tragjik.

Ajo ka deklaruar se bashkëshorti i ndjerë ishte shumë agresiv dhe i kishte kërcënuar me jetë fëmijët edhe vetë atë. Bashkëshortja e Metës ka thënë se dhuna fizike dhe psikologjike ka shkaktuar ngjarjen e tmerrshme.

“Së pari dua t’ju them që jam shumë e rënduar nga pikëpamja psikologjike. Ka ndodhur një gjë shumë shumë e tmerrshme, është diçka që ka ardhur si pasojë e një dhune qoftë fizike dhe psikologjike. Ka qenë njeri shumë agresiv, kërcënime për jetën si mua dhe fëmijëve të mi. Unë dija vetëm që dhuna në familjen time ka qenë e pranishme vazhdimisht si për mua dhe për fëmijët e mi”, ka deklaruar ajo në një intervistë për emisionin Review në Euronews Albania.

Bashkëshortja e 50-vjeçarit ka thënë se nuk ishte në dijeni të ngjarjes dhe në momentin kur kur ndodhur vrasja ndodhej në arë duke mbjellë jonxhë.

Ajo ka bërë të ditur se kur është kthyer nuk është shqetësuar nga mungesa e bashkëshortit, pasi ai punonte roje dhe mungonte natën në banesë.

“Unë do të them atë që unë di. Unë kam qenë në shtëpi, pasi punoj me bujqësi. Ditën e shtunë jam marrë me mbjelljen e jonxhës në periudhën që ndodhi ngjarja. Në drekë kam dalë nga shtëpia. Kur jam kthyer, fëmijët nuk më kanë treguar. Jam në gjendje shumë të rënduar.

Unë nuk u shqetësova atë ditë pasi im shoq punonte roje dhe herë vinte në orar, herë jo. Bënte lëvizje vazhdimisht, nuk kishte një orar specifik, mund të mos vinte dhe dy ditë rresht, mund të vinte në mëngjes, ose në 12 të drekës, pasi natën ishte në punë”.

Gruaja ka thënë se duke qenë se ishte i dhunshëm dhe i armatosur, ata të gjithë kishin frikë për jetën.

“Vajzat s’kanë guxuar të dalin njëherë në derë vetëm. As në dyqan, asgjëkundi, njësoj si unë të shtypura. S’bëhet fjalë të flisnin me komshinjtë, gjithmonë kur ecnin kokën përtokë. Shkonin vetëm në shkollë dhe në shtëpi.

Tani me një njeri që të dhunon dhe të kërcënon për jetën, padyshim që do kishin frikë dhe fëmijët. Ai kishte armë, pasi punonte roje, frikën ia kishim që të gjithë, ndaj arriti kjo punë deri këtu. Një njeri që është agresiv, i dhunshëm, autoritar dhe i armatosur, është normale që ia kenë frikën”, është shprehur ajo.

Gruaja ka treguar se i ndjeri gjithmonë merrte vendime dhe nuk pranonte kurrë të komunikonte me fëmijët, por për çdo gjë iu thoshe “do t’ju vras, do t’ju djeg me benzinë”.

“Nuk kam bërë asnjëherë denoncim se kisha frikë nga ai njëri. Na ka mbajtur gjithmonë të shtypur, nga frika nuk shkonin as fëmijët që ta denonconin. Mua më kërcënonte dhe nëse ndonjë nga fëmijët më dilte në krah, u thoshte ‘do t’ju vras dhe do ju djeg të gjithëve’, shkonte direkt në dhunë. Me mua e kishte të përditshme. Nuk e di sa herë i kam larë muret e shtëpisë me gjakun e kokës time”.