Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

SHBA-ja dhe Britania kryejnë sulme të reja ndaj caqeve të Huthit në Jemen

Shtetet e Bashkuara (SHBA) dhe Britania e Madhe kanë kryer sulme ndaj 18 caqeve të grupit rebel, Huthi, në Jemen të shtunën vonë, si përgjigje ndaj një rritjeje të sulmeve nga kjo milici e mbështetur nga Irani ndaj anijeve në Detin e Kuq dhe në Gjirin e Adenit.

Sipas zyrtarëve amerikan, avionët luftarakë amerikanë dhe britanikë i goditën caqet në tetë lokacione, duke i shënjestëruar raketat, raketahedhësit, dronët dhe sistemet e mbrojtjes ajrore të Huthit.

Kjo është hera e katërt që SHBA-ja dhe Britania kryejnë sulme të përbashkëta kundër caqeve të Huthit prej 12 janarit.

Por, Shtetet e Bashkuara kanë kryer sulme pothuajse cdo ditë kundër kësaj milicie, e cila kontrollon pjesët më të banuara të Jemenit dhe ka thënë se po kryen sulme ndaj anijeve tregtare në shenjë përkrahjeje për palestinezët gjatë luftës së Izraelit në Rripin e Gazës.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha se Shtetet e Bashkuara “nuk do të ngurrojnë të ndërmarrin veprime, nëse është e nevojshme, për të mbrojtur njerëzit dhe transportin e lirë të mallrave në njërën prej rrugëve më të rëndësishme ujore në botë”.

“Ne do të vazhdojmë t’ua bëjmë të qartë huthëve se ata do të përballen me pasoja, nëse nuk i ndalin sulmet e jashtëligjshme”, shtoi ai.

Këto sulme mbështeten nga një koalicion më i gjerë, i cili përfshin Australinë, Bahreinin, Kanadanë, Danimarkën, Holandën dhe Zelandën e Re.

Presidenti amerikan Joe Biden dhe liderë të tjerë të lartë kanë paralajmëruar vazhdimisht se Shtetet e Bashkuara nuk do t’i tolerojnë sulmet e huthëve ndaj anijeve tregtare.

Megjithatë, këto kundërsulme nuk duket se e kanë zmbrapsur këtë grup rebel në fushatën e tij kundër tregtisë në rajon.

Rebelët e Huthit i kanë kryer së paku 57 sulme ndaj anijeve tregtare dhe ushtarake në Detin e Kuq dhe në Gjirin e Adenit prej 19 nëntorit, ndërsa e ka shtuar ritmin në ditët e fundit.

“Natyrisht, në 48 orët e fundit e kemi parë një rritje të sulmeve nga huthët”, tha zëdhënësja e Pentagonit, Sabrina Singh të enjten. Dhe ajo e pranoi se huthët nuk janë zmbrapsur./REL