Pas tërheqjes së njësive të KFOR-it, para ndërtesës së Komunës së Zveçanit aktualisht ndodhet vetëm Policia e Kosovës.
Aty janë vendosur një automjet i blinduar i Njësisë Speciale, si dhe disa automjete të rregullta policore.
Në terren janë vërejtur dy vetura të KFOR-it që patrullojnë nga drejtimi i pjesës veriore të Mitrovicës në drejtim të Zveçanit.
Tërheqja e KFOR-it erdhi pasi është vlerësuar se gjendja në terren është stabile.
Siç njoftoi të dielën KFOR, ata do të qëndrojnë në zonë dhe do të kryejnë patrulla të rregullta për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjithë.
KFOR-i është vendosur para ndërtesës komunale në Zveçan që nga 29 maji i vitit të kaluar, pas protestave të dhunshme të serbëve në veri.