Njohësit e çështjeve ekonomike në vend po konsiderojnë se Kosova edhe më tej vazhdon të mos jetë vend tërheqëse për investitorë të huaj, pasi këta të fundit kapitalin e tyre po e investojnë në vende të tjera të rajonit.
Sipas tyre, kjo situatë do ta sfidojë vendin edhe këtë vit. Se ka pasur rënie të investimeve të huaja direkte në Kosovë e ka vlerësuar edhe Banka Qendrore. Sipas vlerësimit të BQK-së, në tremujorin e tretë të vitit 2023, investimet e huaja direkte kishin pësuar rënie prej 17.5 për qind apo rreth 236.7 milionë euro.
Ekonomisti Erton Begaj thotë se Kosova me vite të tëra ka dështuar në tërheqjen e investimeve të huaja, të cilat do të ndikonin në rritjen ekonomike. Sipas tij, kjo situatë do ta sfidojë vendin edhe këtë vit.
“Kosova ka dështuar historikisht që të tërheq investime të huaja të fuqishme, investime të huaja të cilat prezantohen vazhdimisht janë investimet e diasporës në patundshmëri të cilat nuk gjenerojnë rritje ekonomike mirëpo ndikojnë vetëm në sektorin e ndërtimtarisë dhe për rrjedhojë nuk kemi ndonjë investim të fuqishëm në ekonomi i cili do të rriste, do të gjeneronte vende të qëndrueshme pune, do të ofronte paga të dinjitetshme. Në përgjithësi investimet e huaja direkte janë karakterizuar në patundshmëri dhe sektorin e shërbimeve financiare…”, tha për RTK-në Erton Begaj, ekonomist.
Po ashtu profesori dhe njohësi i çështjeve ekonomike në vend, Ujkan Bajra, ka thënë se për shkak të mungesës së politikave zhvillimore, investimet e huaja në Kosovës kanë qenë të mangëta dhe si rrjedhojë e kësaj edhe rritja ekonomike nuk mund të ketë ngritje.
“Investimet huaja duhet ditë që janë promotor si faktor kontribuues në rritjen ekonomike dhe Kosova nuk është që ka bërë shumë në këtë aspekt, për shkak se pjesëmarrja e investimeve të huaja në bruto produktin vendor të Kosovës gjatë gjithë kohës nuk ka arritur të kalojë 5%, nuk ka pas tërheqje të huaja…”, tha Bajra.
Se ka pasur rënie të investimeve të huaja direkte në Kosovë e ka vlerësuar edhe Banka Qendrore.
Sipas vlerësimit të tremujorit të tretë për vitin 2023 të BQK-së, investimet e huaja direkte rezultojnë të kenë pësuar rënie prej 17.5 për qind, duke arritur vlerën prej 236.7 milionë eurosh.