Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

“Fundi” i Borrellit e Lajçakut në dialogun Kosovë-Serbi?/ Analisti befason me deklaratën: Perëndimi është penduar për këtë gjë!

 
   

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se pas zgjedhjeve në Bashkimin Europian do të ketë ndërmjetës të ri që do ta marrë përsipër dialogun Kosovë-Serbi.

Prandaj, ajo tha se këta muaj deri në zgjedhje janë vendimtarë për këtë proces.

E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur opinonisti Eshref Ymeri.

Ai fillon me një radhitje të situatës, duke u shprehur që dialogu deri më tani nuk ka pasur sukses për shkak se negociatorët kanë qenë nga vendet që nuk kanë njohur Kosovën.

Duke vazhduar më tej, opinonisti thekson që nuk mund të jemi të sigurt që ndërmjetësuesit e tjerë do të jenë në favor të Kosovës.

 Image
 Eshref Ymeri 
 

“Së pari, nëse pas zgjedhjeve në Bashkimin Evropian, do të vijnë në krye të tij personalitete me qëndrim dashamirës ndaj Kosovës, ndërmjetësit në dialogun Kosovë-Serbi do të jenë nga vende që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Ndërmjetësit e deritanishëm, siç e dini shumë mirë, spanjolli Borel dhe sllovaku Lajçak, nga dy vende që s’e njohin pavarësinë e Kosovës, kanë qenë përfaqësues të Brukselit, çka dëshmon më së miri se Brukseli ka qenë i radhitur në krah të Serbisë dhe kundër Kosovës. Zgjedhja e dy ndërmjetësve nga dy vende aspak dashamirëse ndaj pavarësisë së Kosovës, dëshmon më së miri për qëndrimin e pahijshëm, për të mos thënë të turpshëm, të Brukselit ndaj Republikës së Kosovës. Thaçi, si kryetradhtar i Kosovës dhe agjent i Beogradit, i pati pranuar ata ndërmjetës. Albini, sapo erdhi në pushtet, nuk duhej të pranonte vazhdimin e dialogut me ata dy ndërmjetës proserb.

Së dyti, Presidentja Vjosa Osmani, në këndvështrimin tim, nuk duhet t’i varë shpresat te ndërmjetësit e rinj, se nuk na siguron kush që Brukseli nuk do t’i zgjedhë ata nga Rumania, Greqia apo Qipro. Por edhe sikur t’i zgjedhë nga vende që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, kjo nuk do të thotë se ata do të rreshtohen në përkrahje të Kosovës, sepse orientimi i politikës së Brukselit është tërësisht në përkrahje të Serbisë, çka, në heshtje, do të thotë në përkrahje të Rusisë.

Së treti, Zonja Presidente nuk duhet të shpresojë se këto muaj, deri në zgjedhjet e Brukselit, do të jenë vendimtare në procesin e dialogut. Serbia fashiste,në kushtetutën e saj shoviniste, Kosovën e konsideron pjesë të territorit të Serbisë. Në këto kushte, moj motër shqiptare, a ka kuptim dialogu me Serbinë? Unë kam bindjen e plotë se dialogu me një shtet fashist, si Serbia, është vetëposhtërim për Kosovën. Ky dialog absurd më kujton dialogun e Enver Hoxhës me Greqinë nga viti 1949 deri në vitin 1971. Pra, gjatë 22 vjetëve Greqia nuk e njihte pavarësinë e Shqipërisë, e megjithatë Enver Hoxha, si kreu i shtetit, pati mbajtur një qëndrim vetëposhtërues ndaj Greqisë, duke i drejtuar asaj 40 kërkesa për dialog, paçka se Greqia kundër Çamërisë kishte kryer masakra nga më të tmerrshmet në historinë e njerëzimit”, shpjegon opinonisti.

Albini, Vjosa dhe Glauku duhet të mbështeten fuqimisht tek populli

Nga ana tjetër opinonisti shton që krerët e qeverisë së Kosovës duhet të mbështeten tek populli në mënyrë që Kosova të përparoj dhe të jetë e fortë përballë çdo sfide.

“Tani të flasim me zemër të hapur: Albini kur ishte në opozitë, pati deklaruar se nuk do të kishte dialog me Serbinë pa njohje reciproke. Kur erdhi në pushtet pas 14 shkurtit 2021, e ndryshoi pllakën, u ul në dialog. Dialogu me Serbinë, e cila pati kryer vrasje dhe masakra të përbindshme në Kosovë, pati shkatërruar 200 mijë shtëpi, pati grabitur të gjitha kursimet e qytetarëve nga Banka e Prishtinës, pati përdhunuar 20 mijë femra të mjera, deri tani është i kotë, sepse Serbia vazhdon të mbetet e pandëshkuar. Në këto kushte, po e përsëris edhe një herë, dialogu me Serbinë është vetëposhtërim i Republikës së Kosovës.

Duke gjykuar qëndrimin e Brukselit, i cili, paturpësisht, vendosi edhe sanksione kundër Republikës së Kosovës, si edhe qëndrimin e Departamentit të Shtetit përmes ambasadorëve të tij në Prishtinë e në Beograd, si edhe të Eskobarit kundër Albin Kurtit, vetvetiu del përfundimi se krejt Perëndimi, duke filluar nga Brukseli deri në Uashington, është penduar për bombardimin e Serbisë. Prandaj, që të vendoset dhe të ruhet autoriteti i Republikës së Kosovës, Albini, Vjosa dhe Glauku duhet të mbështeten fuqimisht te populli, për të vjelë mendimin e tij përmes një Referendumi mbarëpopullor, duke e pyetur se cila është përgjigjja i tij ndaj katër pyetjeve:

1. A duhen flakur në koshin e mbeturinave të gjitha marrëveshjet tradhtare të Thaçit me Beogradin në Bruksel?

2. A është e nevojshme të zhvillohet dialog me Serbinë fashiste, kriminelen e popullit shqiptar të Kosovës dhe hajduten e kursimeve të qytetarëve të saj?

3. A duhet pranuar krijimi i Bashkësisë së komunave serbe (Asociacionit)?

4. A jeni dakord për ndryshimin e emërtimit Kosovë në Dardani – emërtim tradicional që nga koha e Pellazgo-Ilirisë”, përfundoi opinonisti Eshref Ymeri për “Bota sot”.