Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka takuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ky i fundit zhvilloi takimin e parë me Kamberin lidhur me çështjen e mandatarit të kryeministrit.
Kamberi përmes një postimi në ‘Facebook’ tha se ka kërkuar nga Vuçiq të ndryshojë qasje ndaj shqitptarëve.
“Presidentit Vuçiq i prezentuam kërkesat legjitime të shqiptarëve të Luginës të bazuara në Planin 7 pikësh, ripërsëritëm qëndrimin tonë të përbashkët se nuk jemi të interesuar për asnjë pozitë në nivel qëndror por që konsiderojmë se avancimi i të drejtave të shqiptarëve është interesi jonë i vetëm dhe ai duhet të fillojë nga institucionet shtetërore të nivelit lokal e rajonal”, ka deklaruar ai.
“Rasti i mjekëve të diskriminuar të Preshevës kërkon zgjidhje urgjente, njejtë sikur integrimi i shqiptarëve të kualifikuar në polici”.
“Shkollat në gjuhën shqipe dhe përmirësimi i infrastrukturës në to do duhej të jenë agjendë e qeverisë së re ndërsa riemërimi i shkollës në Bilaç në Ismail Kadare do duhej të siguronte qasje konstruktive të ministrisë”.
“Institucionet shtetërore në nivel lokal duhet të hapin dyert për integrimin e shqiptarëve. Mbyllja e tyre nënkupton përjashtim të popullësisë shumicë në Luginë të Preshevës”, thuhet ndër të tjera në postim.