Një aksident i rëndë ka ndodhur sot në kryeqytet, më konkretisht në rrugën “Agim Ramadani”, ku një këmbësor u goditë për vdekje, pasi vetura kishte përplasur semaforin. Hetimet për rastin kanë nisur.
Kështu konfirmojë për Insajderin Laureta Ulaj, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Ajo shtoi se hetimet po kryhen në bashkëpunim me Policinë dhe kanë çuar në inicimin e një rasti penal “Rrezikimi i Trafikut Publik” me fatalitet.
“Rastit të cilit i referoheni, ju njoftojmë se prokurori kujdestar ka dalë në vendin e ngjarjes së bashku me njësitë relevante. Në këtë aksident janë përfshirë një veturë dhe një këmbësor, ku nga plagët e marra këmbësori ka ndërruar jetë. Prokurori i Shtetit ka iniciuar rast në drejtim të veprës penale “Rrezikimi i trafikut publik” (me fatalitet), derisa viktima do t’i nënshtrohet obduksionit në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Prokuroria në koordinim me policinë janë duke ndërmarrë veprime hetimore, andaj për veprimet e tjera karshi këtij rasti do të njoftoheni me kohë”, ka thënë ajo.