Gjykata e Apelit ka vendosur që Enver Sekiraqa të rikthehet në arrest shtëpiak.
Kjo masë atij iu caktua në kohëzgjatje prej një muaji, e cila do të llogaritet nga data 23 shkurt të këtij viti.
“Gjykata e Apelit e Kosovës me aktvendimin PN1.S.nr.37/24, të datës 23.02.2024, e ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ndërsa aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, PKR.nr.170/2020, të datës 09.02.2024, e ka ndryshuar, dhe ndaj të pandehurit E.S është caktuar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 1 (një) muaj, e cila do t’i llogaritet nga data 23.02.2024. Masa e arrestit shtëpiak të pandehurit i është caktuar konform dispozitës ligjore nga nenin 181 paragrafi 1 nënparagrafi 1.1 e 1.2 të KPPRK”, thuhet në njoftimin e Apelit.
“Me aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, PKR.nr.170/2020, të datës 09.02.2024, të pandehurit E.S, i është ndërprerë masa e arrestit shtëpiak me datë 10.02.2024, dhe ndaj të njëjtit është udhëruar masa e paraqitjes në stacionin policor”.
Sekiraqa po akuzohet si shtytës për vrasjen e policit Triumf Riza, i cili u privua nga jeta në vitin 2007.