Janë bërë dy vjet që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës.
Kjo luftë ka reflektuar në shumë shtete të botës, në mënyra të ndryshme.
Mirëpo, që nga nisja e luftës nga Rusia, shumë shtete janë ndjerë të rrezikuara, sidomos ato të cilat kufizohen me shtetin rus dhe atë ukrainas.
Krahas kësaj, Putini tash e një kohë të gjatë synon të ndikojë në politikat dhe sigurinë e rajonit të Ballkanit, kjo përmes lidhjes së tij me Serbinë e Aleksanar Vuçiqit.
Duke marrë parasysh tani që lufta në Ukrainë ka hyrë në vitin e tretë, cilat mund të jenë planet e Putinit për këtë vit?.
A mund të presim plane për destabilizim të Ballkanit, duke vlerësuar se Putini mund të synojë të nxisë një front të ri lufte, për ta larguar vëmendjen nga Ukraina!?
Kësisoj, raportet Kosovë-Serbi janë të tensionuara dhe ekspertët e sigurisë tregojnë rrezikun e një konflikti të ri.
Kulla: Dy vjet më parë kam paralajmëruar se Kosova do të rrezikonte një konflikt me Serbinë
E një lidhje me këtë temë, në një bashkëbisedim me “Bota sot” foli eksperti i sigurisë, Ilir Kulla.
Ilir Kulla.
Së pari, ai tha se lufta e Rusisë në Ukrainë ka ndikuar në mënyra multidimensionale, derisa kjo luftë e ka ndarë botën në dy blloqe.
“Reflektimet e luftës janë multidimensionale ekonomike, politike, ushtarake, sociale, gjeopolitike, ndër-fetare etj, etj. Në këto 2 vjet si rrjedhojë e luftës tregjet ekonomike, energjetike, të drithrave, të kapitaleve kanë pësuar kriza të pakthyeshme si asnjëherë më parë. Politikisht kjo luftë e ka ndarë botën në dy blloqe tërësisht si në kohën e luftës së ftohtë. Ushtarakisht kemi një situatë gjithashtu të paparë që nga lufta e ftohtë”, deklaroi eksperti.
Gjithashtu, Kulla komentoi rritjen e shpenzimeve golable në mbrojtje, krejt si rrjedhojë e luftës së Rusisë.
“Rusia ka aneksuar një territor të madh sa Bullgaria, NATO është zgjeruar, shpenzimet globale për mbrojtjen janë rritur me 9% e do rriten më shumë. Drama sociale është më e madhe dhjetëra mijëra të vrarë nga të dyja anët dhe 25% të popullsisë të zhvendosur nga Ukraina. Tregjet e kapitalit kanë pësuar luhatje dhe shpesh rrënime që kanë çuar në rënien e klasave politike të moderuara sidomos në BE, të zëvendësuara nga parti populiste dhe zgjerimin të BRICS me 40 vende të tjera në 2024”.
Ndër të tjera, eksperti i sigurisë foli edhe për rrezikun që i kanoset Kosovës, pasi Serbia e ndikuar nga Rusia, në vazhdimësi kërcënon.
“Dy vjet më parë kam paralajmëruar se Kosova do të rrezikonte një konflikt me Serbinë. Fatkeqësisht kjo ndodhi në shtator 2023. Për fat të mirë konflikti ndaloi por kërcënimi nuk ka kaluar. Duhet bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar për të vazhduar rritjen e sigurisë kombëtare të Kosovës por njëherësh duhet konsoliduar siguria e brendshme, ekonomia dhe shteti ligjor”, përfundoi Ilir Kulla për “Bota sot”.
Softa: Raporti Kosovë-Serbi është kthyer si roli kyç në zgjidhjen e konflikteve
Kurse, eksperti tjetër i sigurisë, Fatjon Softa tha se situata në rajonin e Ballkanit është e paparashikuar.
Fatjon Softa.
Ai në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” u shpreh se marrëdhëniet Kosovë-Serbi janë vendimtare për sigurinë në rajon.
“Gjendja e Ballkanit, është e pa parashikuar. Raporti Kosovë-Serbi është kthyer si roli kyç në zgjidhjen e konflikteve, ndërsa Shqipëria është faktor stabilizues dhe i besueshëm i partneritetit për NATO-n.
Më duhet t’i referohem Escobar: “Shikoni, shprehet ai, nuk dua të hyj në atë se cilat janë të gjitha pasojat, por, e dini, mendoj se deklaratat tona publike janë tregues se si po shkojnë marrëdhëniet në nivel diplomatik dhe politik. Pra, ne jemi të shqetësuar për faktin se qeveria e Kosovës nuk po na trajton si partner. Ata nuk po konsultohen me ne. Ata nuk po punojnë me ne për sigurinë rajonale. Dhe më e rëndësishmja, ata po bëjnë gjëra që në dukje po dëmtojnë dialogun në të cilin Shtetet e Bashkuara janë angazhuar plotësisht”.
Po ashtu, Softa tha se pasi kanë kaluar 2 vite nga lufta në Ukrainë, duke parë atë se çfarë ka bërë po vazhdon ta bëjë Rusia e Putnin, duhet gjithsesi të shmangim një konflikt në Ballkan.
Sipas tij, është koha që Shqipëria dhe Kosova të bashkohen dhe të unfikojnë vlerat, pasi vetëm të bashkuar mund ta mposhtin dhe dobësojmë Serbinë. “
“Pas dy vitesh luftë në Ukrainë, gjendja është ende pa zgjidhje, arenë e përplasjeve NATO-Rusi, një vend i rrënuar, ku krahas përplasjeve ushtarake, janë dhe luftë ekonomike, kjo është fusha e betejës ku humbjet janë jo vetëm njerëzore, por me pasoja të rënda ekonomike për të gjithë globin, dhe kjo duhet të shmanget në Ballkan, të mos jemi fushë-betejë, por të jemi të aftë të zgjedhim zgjidhjet dhe jo përplasjet. Kosova është e vogël, nuk mund të bëj politika globale, as Shqipëria, jemi komb i vogël dhe kemi shumë armiq potencial, interesa që financohen kundër nesh. Duhet të jemi fleksibël, dhe më tepër se kurrë, të unifikojmë vlerat tona së bashku.
Koha të bëhemi Big Again, por pa zhurmë, të bashkëveprojmë në forcimin e ekonomisë në një treg të përbashkët, Serbinë dhe forcën e saj nuk e dobësojmë të veçuar, por bashkë, kemi harxhuar shumë energji për ndarjen për Ballkanin e Hapur, duke i shërbyer vetëm interesave serbe. Serbia mbetet aleat i Rusisë, Rusia në filozofinë e saj për hegjemoni, sulmon të dobëtit dhe rajonet strategjike dhe më pas kërkon të mbaj në kontroll qeverisjen e tyre”, nënvizoi ai.
Tutje, eksperti i sigurisë potencoi se Putini ka synim që edhe në Ballkan të nisë një konflikt, e këtë tha se e konfirmoi edhe Blinken.
“Rusia synon Ballkanin dhe këtë e shpreh dhe sekretari i shtetit: Nuk keni nevojë për inteligjencë-shprehet ai, për t’ju thënë se kjo është pikërisht ajo që dëshiron Presidenti Putin”.
“Ai e ka bërë të qartë se do të dëshironte të rindërtonte perandorinë sovjetike. Me pak fjalë, ai do të donte të rivendoste një sferë ndikimi rreth vendeve fqinje që dikur ishin pjesë e bllokut sovjetik. Dhe me pak fjalë, ai do të donte për t’u siguruar që të gjitha këto vende të jenë disi neutrale”, tha Blinken.
Në Ukrainë, zyrtarët e inteligjencës perëndimore vlerësojnë se plani i Rusisë është të rrëzojë qeverinë në Kiev dhe të vendosë një qeveri miqësore me Rusinë – por ata ende nuk e dinë nëse Putini do të kërkojë të pushtojë dhe mbajë më pas territorin ukrainas.
Këtë synon të realizojë në mënyrë të shkallëzuar, lufta hibride është arma e tij”, shpjegoi Softa.
Në fund, ai shtoi se Putini me kërcënimet e tij po frymëzon diktatorë si Vuçiqi, i cili inspirohet me para ruse duke mbajtur klane mafioze shumë të rrezikshme.
Gjithashtu, u shpreh se Kurti duhet të koordinohet me ndërkombëtarët, në përpjekjet e tij për të ndërtuar një shtet ligjor.
“Kërcënimet për përdorim të armëve nukleare, dhe mundësia e përdorimit të tyre në hapësirë, janë pjesë e luftës hibride dhe kjo frymëzon diktator si Vuçiq, që qëllim ka pushtetin e tij dhe privilegjet, me flamurin e nacionalizmit, inspirohet me para ruse duke mbajtur klane mafioze shumë të rrezikshme që jetojnë dhe veprojnë në territorin e Serbisë.
Të mos harrojmë, që përpjekja e Kurtit për të ndërtuar shtet ligjor dhe shtet të së drejtës, duhet të harmonizohet me interesat globale dhe gjeopolitike të SHBA dhe EU, askush nuk merr në konsideratë shtetet e vogla dhe pa peshë në arenën ndërkombëtare, avantazhet që Kosova arriti pas dështimit të sulmit të Serbisë në veri të Kosovës dhe qëndrimi i qeverisë së Kosovës, tashmë të orientohet tek diplomacia bashkë me të gjithë faktorin shqiptar në Ballkan. Është një diferencë mes lidershipit dhe interesave kombëtare, dominon interesi për pushtet personal apo interesa politike”, përmbylli Fatjon Softa për “Bota sot”.