Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj edhe njëherë ka bërë thirrje për rrëzimin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti.
Sipas tij, Kosova po rrezikon humbjen e gjërave që i ka arritur deri tash, sidomos miqësinë me SHBA-në, dhe se në këtë situatë duhet dhënë fund “qeverisë anti-shtet të Albin Kurtit”.
Por se opozita nuk i ka votat për rrëzimin e Kurtit ashtu siç po kërkon Haradinaj, e ka bërë të ditur edhe vet shefi i deputetëve të LDK-së, Arben Gashi.
“Mocioni i mosbesimit kundër qeverisë duhet të niset nga të paktën 40 deputetë dhe të përkrahet nga të paktën 61 deputetë që të konsiderohet mocion procedurial i suksesshëm. Ne e dimë sa vota i kemi, ne mezi i bëjmë 41 vota, total opozita i ka 41 vota. Një tentim i dështuar i mocionit të mosbesimit, e pamundëson një tentim tjetër”, ka thënë Gashi.
E krejt këto deklarata të Haradinajt, po i quan akuzua të pabaza analisti politik, Faton Mehmeti.
Faton Mehmeti.
“As vet Haradinaj nuk e beson atë që e thotë, akuza pa sens dhe krejtësisht infantile. Me pak fjalë janë akuza shterpe në mungesë të argumenteve dhe fakteve. Në mungesë të aferave korruptive dhe faktit se qeveria po shtrin sovranitetin në veri, Haradinaj është i shqetësuar se sukseset do sjellin rezultat të thellë për VV-në”, shprehet Mehmeti.
“Ramushi e di se në zgjedhjet e ardhshme mund të mos arrijë as pragun, andaj edhe po jep “shqelmat” e fundit. Derisa më i logjikshëm dhe arsyeshëm duket të jetë Arben Gashi i LDK-së, që pranon realitetin dhe faktin se janë të dobët për të rrëzuar Kurtin. Edhe Ramushi nëse do të jetë i arsyeshëm s’do lëshonte deklarata fëmijërore për “prishje me SHBA”, e gjëra të kësaj natyre… Opozita duhet të njoh hallin e saj se është e dobët, çdo akuzë pa bazë vetëm sa e forcon Kurtin”, deklaron Mehmeti për “Bota sot”.
Ai thotë se një mocion mosbesimi ndaj Kurtit në këtë pikë, do të ishte vetëvrasje politike për cilëndo parti.
“Sigurisht se po, por nuk besoj se opozita e “madhe” PDK dhe LDK bëjnë një gjë të tillë, derisa Ramushit i kanë ngel vetëm studiot televizive për të shfryer dufin e mungesës së pushtetit”, përfundon Faton Mehmeti.