Në Bruksel kanë përfunduar takimet e ndara mes emisarit të Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak, dhe delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, lidhur me përdorimin e dinarit serb në Kosovë.
Lajçak ka zhvilluar takime të ndara me delegacionin e Bankës Qendrore të Kosovës dhe me delegacionit serb i udhëhequr nga kryenegociatori Petar Petkoviq.
Megjithatë ende nuk dihet nëse do të ketë takim ballë për ballë ndërmjet palëve.
Këtë situatë për gazetën “Bota sot” e komentoi njohësi i Marrëdhënieve Ndërkombëtare Prof. Dr. Enver Bytyçi.
Prof. Dr. Enver Bytyçi
Për Bytyçin, çështja e dinarit dhe përdorimit të tij në Kosovë u shndërrua gabimisht në pjesë të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë.
“Mesa duket Brukseli, në mungesë të dialogut substancial dhe I paaftë të detyrojë presidentin Vuçiq që të zbatojë marrëveshjen e shkurtit të vitit 2023 për normalizimin e marrëdhënieve, u gëzua që “gjeti” një rast të mire për të folur për dialogun. Banka Qendrore e Kosovës, bazuar në ligj e kushtetutë, ndaloi përdorimin e dinarit. Disa e kritikuan këtë. Madje edhe ata brenda Kosovës, d.m.th opozita. Disa e lavdëruan vendimin ose rregulloren e BQK-së.
Por përfundimisht është vendosur të shkohet në Bruksel dhe të bisedohet se si do të zgjidhet konflikti. Unë mendoj se çështja u fry qëllimisht. Beogradi e paraqiti këtë çështje si shkak për konflikt të armatosur midis Kosovës dhe Serbisë, për të imponuar ndikimin e saj te serbët e Kosovës. Lajçak dhe Borrell ishin të kënaqur nga ky pozicion I Aleksandër Vuçiq, sepse donin të merreshin me diçka, shkurt të „mos rrinin pa punë“, pasi kreu i shtetit të Serbisë nuk iu bindet të shkojë më e të ballafaqohet me Albin Kurtin. Dhe thirrën në Bruksel përfaqësuesit e BQK-së e zotin Bislimi si kryenegociator, nën hijen e zotit Kurti”, ka thënë profesori.
Ai konsideron se fakti që serbët e Kosovës përfaqësohen nga qeveria e Serbisë është i mjaftueshëm për ta kundërshtuar çdo propozim të Beogradit.
“Sot bëhet ballafaqimi në kryeqytetin evropian. Serbët e Kosovës përfaqësohen nga qeveria e Serbisë. Mjafton ky fakt për të kundërshtuar çdo propozim të Beogradit. Por qeveria e Kosovës, për ta evituar këtë ngërç politik do të duhej të ulej e të bisedonte me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës. Ndoshta nuk do zgjidhej asgjë, por duhej refuzuar biseda për çështjet e brendshme të Kosovës me Serbinë. Sepse jepet imazhi, sikur Serbia vendos për Kosovën. Prandaj takimi i sotëm është provokim i Serbisë me mbështetjen e disa faktorëve dhe aktorëve ndërkombëtarë, aleatë të Kosovës. Këta aleatët e Kosovës në këtë rast janë aleatë të Serbisë, sepse në kësi formash besojnë se e bëjnë Serbinë „perëndimore“, „euro-amerikane“! Por është thjesht një iluzion ky.
Çfarë do të bisedohet? Për mendimin tim të dy palët do të mbrojnë pozicionet që kanë. Përfaqësuesit e BQK-së do të premtojnë se nuk do të marrin masa ndëshkuese në rastet kur shkelet rregullorja e lëshuar prej saj. Banka e Beogradit do të thotë se “kjo masë I dëmton interesat e serbëve të Kosovës”! Sepse qeveria e Serbisë është e interesuar në paligjshmëri, d.m.th që të fus dinarë me thasë në territorin e Kosovës. Në fund I thonë një fjale: “Më rrove, të rrova – brisku I berberit”! Asgjë! Nuk do të ketë ndonjë marrëveshje, mendoj unë.”, ka thënë ai.
Bytyçi rikujtoi se zëvendëskryeministri Besnik Bislimi kishte një mosmarrëveshje me ndërmjetësuesin Miroslav Lajçak, sepse ky i fundit vendosi pa konsultime që palët të takoheshin në Bruksel.
“Megjithatë ai nuk e kishte komoditetin që të mos shkonte në takim. Derisa shkojnë përfaqësuesit e Bankës, është e njëjtë si shkoi, si nuk shkoi zoti Bislimi. Kështu që mos-shkuarja do interpretohet si kokëfortësi, madje e zotit Kurti. Unë mendoj se duhet të shkonte, edhe pse është një rrugë bosh. Rrugë bosh, pasi që nuk do të vendoset asgjë. Thjesht Lajçak do të thotë se “Palët nuk u pajtuan për asgjë”!
Ndërkohë shoh njëlloj kompleksi tek Borrell dhe tek Laçak. Ata po ankohen këto kohë se palët, d.m.th. ngociatorët e Kosovës e të Serbisë nuk bien dakord për asgjë. Kjo ishte e pritshme, sepse BE ndodhet vetëm pak muaj para zgjedhjeve parlamentare. Në këto kushte asnjëra palë nuk dëshiron të lëshojë asgjë, sidomos Serbia. Në Beogradi presin që të forcohen forcat radikale në Parlamentin Europian. Në Prishtinë besojnë se do të ruhet ekuilibri i sotëm. Vuçiq në pritje të kohëve të kthjellta për të nuk ka asnjë interes për dialog. Ndërkohë Kurti sërishmi nuk dëshiron dialog me Borrell e Lajçak, sepse shpreson se në krye të këtij dialogu të vijnë diplomatë të tjerë që nuk luajnë pro-Serbisë, si këta të sotmit”, potencoi profesori.
Sipas tij, të frustruar që Vuçiq e Kurti nuk duan të zhvillojnë bisedime me këta diplomatë të dështuar, Borrell dhe Lajçak kanë shansin të luajnë lojëra individuale, për të krijuar përshtypjen se nuk janë ata fajtorë për këtë dështim.
“Edhe për këtë fakt nuk shoh ndonjë rezultat në bisedime për dinarin. Dinari do të vazhdojë të jetë temë e nxehtë, sepse kjo i intereson presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Ai ka interes të qëndrojë larg zgjidhjeve, së paku derisa të kuptojë qartë se çfarë rrjedhe do të marrë lufta në Ukrainë, nëse do të dështojë apo do të fitojë Rusia në këtë luftë!”, ka përfunduar ai.