Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Dodiku në Mal të Zi, protestuesit kundërshtojnë “të dërguarin e Putinit”

Presidenti i Republikës Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë, Millorad Dodik – i cili është i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe – vizitoi më 27 shkurt Malin e Zi ku qindra protestues e priten para ndërtesës së Parlamentit.

Dodik, i cili u takua me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, më 21 shkurt në qytetin Kazan në Republikën e Tatarstanit, e cila është pjesë e Rusisë, mbërriti në Podgoricë për një takim me kryetarin e Parlamentit, Andrija Mandiç.

Takimi i Dodikut me Putinin ishte takimi i katërt prej kur Rusia e nisi pushtimin e Ukrainës.

Në takimin e majit të vitit 2023 Dodiku tha se “Republika Sërpska mbetet proruse, antiperëndimore dhe antiamerikane”.

Kabineti i presidentit të Malit të Zi, Jakov Milatoviq, dhe qeveria e Milojko Spajiqit i thanë Radios Evropa e Lirë se nuk kishin informacion zyrtar për vizitën e Dodikut, apo njoftime për takime me zyrtarë.

Protestuesit të cilët u mblodhën te ndërtesa e Parlamentit, kritikuan takimin e Mandiçit me Dodikun, duke mbajtur në duar mbishkrimet: “Ne duhet t’i themi jo Mandiçit dhe Dodikut!”, dhe një pankartë ku ishte shkruar: “Të dërguarit e Putinit nuk janë të mirëpritur”.

Duke hyrë në ndërtesën e parlamentit, Dodik përshëndeti turmën me tre gishta.

Protestuesit u përgjigjën duke bërtitur “fashist”.

Dodik i tha Putinit se Republika Srpska refuzon t’i bashkohet sanksioneve kundër Rusisë pavarësisht presionit nga qeveritë perëndimore dhe tha se ai nuk dëshiron ta shohë Bosnjën t’i bashkohet NATO-s.

Dy ditë para takimit të tij me Putinin, Dodik u takua me liderin autoritar bjellorus, Alyaksandr Lukashenka, i cili është nën sanksione nga BE-ja që nga viti 2020, për shkak të parregullsive në zgjedhjet presidenciale të atij viti, që ai pretendoi se i ka fituar./rel