Kreu i PL-së Ilir Meta, ka reaguar pas raportit të BERZH për Shqipërinë, ku thuhet se vendit tonë do t’i duhen deri 70 vjet për të arritur standardet e jetesës së BE-së.
Përmes një postimi në llograinë e tij në rrjetin social ‘Facebook’ Meta ka bërë shkaktar kryeministrin Edi Rama, ndërsa shprehet se është “keqqeverisja e tij shkaku i vetëm i shpopullimit dramatik të vendit, më i lartë edhe se në shtetet e përfshira në luftë apo në konflikte civile”.
Ndër të tjera ai thekson se raporti i BERZH jep alarmin se Shqipëria rrezikon të mbetet pa ekspertë dhe profesionistë, nga rënia e vazhdueshme e popullsisë.
Reagimi i plotë i Metës:
Është Edi Rama dhe keqqeverisja e tij shkaku i vetëm i shpopullimit dramatik të vendit, më i lartë edhe se në shtetet e përfshira në luftë apo në konflikte civile.
Edhe raporti më i fundit i BERZH konfirmon se: “Emigracioni i lartë ka si shtysë kryesore qeverisjen e keqe”.
Është shume i rëndë fakti që sipas BERZH, Shqipëria ishte ndër 10 vendet e para në botë ku të paktën gjysma e popullsisë do të donte të ikte jashtë vendit gjatë 2018-2021.
BERZH gjithashtu jep alarmin se Shqipëria rrezikon të mbetet pa ekspertë dhe profesionistë, nga rënia e vazhdueshme e popullsisë.
Për Partinë e Lirisë frenimi i shpopullimit është kauza më madhore. Ne jemi të vendosur që të rinjtë tanë ta ndërtojnë të ardhmen e tyre në Shqipëri.