Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Anketa e UNDP: Qytetarët e vlerësojnë më së shumti punën e Osmanit, Konjufca i dyti, Kurti i treti

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë publikoi sot edicionin e 25-të të Përmbledhjes së Pulsit Publik. Gjetjet e paraqitura bazohen në një anketë të opinionit e cila mbuloi 1,306 të anketuar në Kosovë mbi moshën 18 vjeçare, nga 8 nëntori deri më 27 nëntor 2023.

Një nga gjetjet është që mesatarisht 42.44 për qind e të anketuarve janë të kënaqur me punën e institucioneve qendrore të Kosovës.

Sa i përket kënaqëshmërisë së të anketuarve me figurat kryesore, nga tre krerët e shtetit, presidentja Osmani është e para, Konjufca i dyti dhe Kurti i treti.

“Kënaqshmëria me punën e kabinetit ekzekutiv është shënuar në 41.8%, ndërsa kënaqshmëria me punën e kryeministrit është shënuar në 48.9%. Kënaqshmëria me Kuvendin ishte 38.7% ndërsa kënaqshmëria me Kryetarin e Kuvendit ishte 52.2%. Kënaqshmëria me Presidenten është regjistruar në 56.2%.”

Shkalla e kënaqshmërisë ndaj Gjykatave ishte 29.3% dhe ndaj Prokurorisë 30%.

Tri çështjet kryesore më të raportuara gjatë kësaj ankete ishin varfëria, papunësia dhe çmimet për artikuj të domosdoshëm.

“Tre çështjet kryesore më të raportuara gjatë kësaj ankete ishin varfëria (28.6%), papunësia (19.2%) dhe çmimet për artikuj të domosdoshëm (8.9%). Shërbimet e kujdesit shëndetësor (8%) dhe problemet e hapësirës urbane (3.8%) ishin ndër pesë problemet kryesore të identifikuara.”

Një tjetër gjetje tregon se ka rënie të ndjenjës së sigurisë në mesin e të anketuarve me 79.73%.

“Gjetjet treguan një rënie në ndjenjën e sigurisë në mesin e të anketuarve me 79.73% që ndiheshin të sigurt kur ishin jashtë në rrugë. Të dhënat e zbërthyera sipas gjinisë treguan se më shumë meshkuj (80%) sesa femra (78.9%) deklaruan se ndihen të sigurt kur janë jashtë.”

Ndërkaq 37.6% e serbëve të Kosovës deklaruan se ndjehen të sigurt kur janë jashtë në rrugë, 80.8% e shqiptarëve të Kosovës raportuan se ndjehen të sigurt.

“37.6% e serbëve të Kosovës deklaruan se ndjehen të sigurt kur janë jashtë në rrugë (6.2% deklaruan se ndjehen shumë të sigurt, ndërsa 31.4% deri diku të sigurt). 80.8% e shqiptarëve të Kosovës raportuan se ndjehen të sigurt (me 25.1% që ndjehen shumë të sigurt dhe 55.7% ndjehen deri diku të sigurt). Sa i përket komuniteteve tjera të Kosovës, 80% kanë raportuar se ndjehen të sigurt (me 12.5% që ndjehen shumë të sigurt dhe 67.5% ndjehen deri diku të sigurt).”

“Një rritje pozitive në perceptimin e njerëzve për drejtimin ekonomik është vërejtur në anketën e opinionit të nëntorit 2023. Gjithsej 20.23% ishin shumë të kënaqur ose të kënaqur me drejtimin ekonomik drejt të cilit po shkon Kosova aktualisht.

Ndërkaq ndryshimet më të mëdha sa i përket perceptimit të korrupsionit në shkallë të gjerë janë vërejtur te Policia e Kosovës dhe Komunat.

“Ndryshimet më të mëdha sa i përket perceptimit të korrupsionit në shkallë të gjerë janë vërejtur në institucionet në vijim: Policia e Kosovës (nga 7.3% në 17.9%) dhe Komunat (nga 15.8% në 21.7%). Një rënie pozitive në perceptimin e korrupsionit në shkallë të gjerë është vërejtur në gjykata (nga 37.7% në 28.8%).”

“63.7% e të anketuarve kanë theksuar se informacioni përmes mediave është se si ata e vlerësojnë praninë e korrupsionit në shkallë të gjerë në Kosovë, ndërsa gjithsej 30.5% e të anketuarve kanë deklaruar se bisedat me të afërmit dhe miqtë kanë formuar bazën e opinionit të tyre lidhur me shtrirjen e korrupsionit. Vetëm 5.5% e të anketuarve pohuan se përvojat personale formësuan perceptimin e tyre për korrupsionin në shkallë të gjerë.”

Nëse zgjedhjet qendrore do të mbaheshin së shpejti, 72.8% e të anketuarve pohuan se do të votonin.

Po ashtu të dhënat e anketës të opinionit së nëntorit 2023 treguan se “59.3% e shqiptarëve të Kosovës dhe 32.4% e serbëve të Kosovës besonin (plotësisht ose disi) se Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të ndikojë pozitivisht në jetën e qytetarëve të Kosovës, ndërsa 62.5% e komuniteteve tjera të Kosovës besonin (plotësisht ose disi) se marrëveshja do të ndikojë pozitivisht në jetën e qytetarëve të Kosovës”.