Është mjeshtër mashtrimi – trajtë të cilën e ka përsosur prej i ri si sekretar në Partinë Radikale të kriminelit të dënuar të luftës, Vojisllav Sheshel dhe Ministër i Propagandës në Qeverinë e Sllobodan Millosheviqit – por, Aleksandar Vuçiq, sot me tone tejet të zbutura njoftoi njëfarë zbrapsje për çështjen e dinarit.
Pas Banjskës, me një Vuçiq taktikisht të metamorfuar, Serbia provon paraqitet për dëgjuese thuajse e çdoherme dhe “konstruktive” ndaj ndërkombëtarëve.
Duke folur sot nga Tirana – ndryshe prej ditë e javë më parë kur paralajmëronte “katastrofa humanitare”, “pogrome ndaj serbëve”, “spastrim të heshtur entik të serbëve nga Kosova” – Vuçiqi e la të hapur, më shumë si parashikim, se për çështjen e dinarit megjithatë po duket në horizont “një zgjidhje”.
“Serbia është në gjendje tepër të vështirë”, tha Vuçiqi në stilin e tij të zakonshëm prej mellodramatisti, por shtoi se ndërkombëtarët “po duan një zgjidhje” që s’e kundërshtoi vetë.
“Po bëjmë gjithçka çfarë mundemi, dhe më duket mua që evropianët dhe amerikanët duna një lloj të zgjidhjes. Mundet që kjo zgjidhje të mos na shkojë për shtati, por çfarë zgjidhje është – që njerëzit të jetojnë normalisht”, ka thënë Vuçiq, siç e citoi “KoSSeV“, një frazë kjo që shënon ‘fatalitet’ kur njofton audiencën e tij se gjërat po shkojnë jo në drejtimin e dëshiruar të tij.
Në dritë të kësaj, Vuçiqi tha se beson që “ditëve në vijim do të gjinden një zgjidhje”.
Ishte i pari vetë Vuçiq i cili nga Forumi Ekonomik në Davos njoftonte për “katastrofa humanitare” që do të pasonin pas hyrjes në fuqi të rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës e cila esencialisht dhe efektivisht do të ndalonte valutën serbe (dinarin) në Kosovë.
Çështja e dinarit ka gjetur rezistencë të madhe te ndërkombëtarët – në veçanti nga ShBA-ja – të cilët nuk e kundërshtuan vendimin si të tillë, por zbatimin si të tillë; dhe krahas me të edhe etikën.
Asistent Sekretari amerikan i Shtetit, Jim O’Brien madje, në tonet më të frikshme ndonjëherë drejtuara qeverisë kosovare, njoftoi se se po qe se kursi i mospartneritetit nga ana e qeverisë së Albin Kurtit do të vazhdonte, e njëjta gjë do të reciprokohej: Mospartneri i ndërsjellë Kosovë-ShBA.
Dialogu i djeshëm në Bruksel për dinarin, çka ndodhi?
“Nuk është diskutuar asgjë tjetër përveç asaj se çfarë ofrohet në Rregulloren e BQK-së”.
Kështu e konkludoi pozicionin (dhe atë që është folur në Bruksel) guvernatori i Bankës Qendrore tët Kosovës, Ahmet Ismaili, i cili e përfaqësoi institucionin që e drejton në bisedimet e thirra nga BE rreth çështjes së dinarit.
Qeveria e Kosovës në këtë takim nuk pranoi që të merr pjesë duke mirëmbajtur qëndrimin se çështja e valutave është në rend të parë çështje e brendshme e shtetit, si dhe çështje e një institucioni të pavarur.
“Rregullorja është në fuqi dhe nuk ndryshohet. Zbatimi i saj nuk vihet në diskutim. Mundësi ligjore ka për transfer legal. Nëse gjithmonë Serbia ka gatishmëri t’i shfrytëzojë ato”, është shprehur guvernatori Ismaili në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.
“Nuk ka asgjë tjetër dhe nuk kemi pranuar diskutime të tjera”, ka shtuar ai.
Serbia në anën tjetër është përfaqësuar nga kryenegociatori serb Petar Petkoviq bashkërisht me një delegacion të Ministrisë së Financave dhe bankës shtetërore të kursimeve serbe.
Petkoviq është deklaruar për media duke kundërshtuar në rend të parë që të diskutohet në nivel teknik, dhe duke kërkuar që kjo çështje të zhvillohet në nivelin politik.
Serbia ka kërkuar që të lejohet operimi dhe funksionimi i bankës së kursimeve serbe. “Niveli politik është i domosdoshëm. Nuk mund të negociosh me njerëz që nuk kanë manovra politike”, tha Petkoviq.
“Kemi insistuar që të hiqen pjesët e diskutueshme të rregullores, por kemi biseduar për faktin se Banka Poštanka Štedionica duhet të vazhdojë të funksionojë në Kosovër, sepse të gjitha pagesat për njerëzit tanë në Kosovë kalojnë përmes saj”, tha Petkoviq.
Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, e paraqiti si më premtues takimin se sa Petkoviqi duke shkruar në rrjetin ”X” se mirëpret ”gatishmërinë e palëve” për të gjetur zgjidhje.
Megjithatë, tha ai, ka pyetje të nivelit politik që mbesin pa përgjigje.
”Unë mirëpres angazhimin e palëve për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për komunitetet e prekura nga rregullorja e fundit e BQK-së. Takimi i sotëm i Dialogut ishte një hap i parë i rëndësishëm, por shumë pyetje politike mbeten pa përgjigje. Do të nevojiten takime shtesë”, ka shkruar Lajçak në rrjetin “X”.