Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Sulmi terrorist i 24 shtatorit në Banjskë/ Çfarë përmbajnë materialet e dërguara në Bruksel e Uashington? Ja thirrja për Kosovën

 
   

Edhe pse kanë kaluar 5 muaj nga sulmi terrorist serb në Banjskë në veri të Kosovës, ende s’ka asnjë aktakuzë nga Prokuroria Speciale. Deri më tani, përgjegjësinë për organizimin dhe udhëheqjen e këtij sulmi e ka marrë krimineli serb, Milan Radojeçiq, për të cilin edhe Interpoli ka lëshuar flet arrest ndërkombëtar me kërkesën e shtetit të Kosovës.

E sipas profesorit të marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçi, qëllimi kryesor i këtij sulmi terrorist ishte destabilizimi i Kosovës përmes dhunës, vrasjeve e terrorit.

“Ajo ngjarje ishte një akt si në filmat horror. Vetë Radoiçiq, asokohe nënkryetar i Partisë Lista Srpska, e drejtoi grupin prej disa dhjetëra kriminelësh me qëllim destabilizimin e Kosovës përmes vrasjeve dhe terrorit. Radoiçiq ka pranuar, sipas presidentit të Serbisë, se ishte ideatori dhe udhëheqësi i atij grupi terrorist. Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës ka dhënë prova filmike, me foto dhe me materiale e dokumente pa fund, me të cilat ajo ka provuar jo vetëm faktin se ngjarja e Banjskës e para pesë muajve ishte akt i pastër terrori, që përfundoi me vrasjen e policit të Kosovës dhe vrasjen edhe të tre terroristëve. Autoritetet e Kosovës kanë provuar plotësisht se këtë grup të strukturuar terrorist e drejtonte politikani i lidhur me Vuçiq, Radoiçiq”, thotë Bytyçi.

 Image
 Prof. Dr. Enver Bytyçi 
 

Siç thotë Bytyçi, materialet që ka siguruar Kosova, përmbajnë faktet e pakontestueshme për gjithë planifikimin e sulmit terrorist në Kosovë.

“Dokumentet dhe provat, të cilat institucionet e sigurisë i kanë dërguar në Bruksel e Uashington, kanë brenda tyre fakte të pakundërshtueshme se përveç ekzekutorëve ideatorë, financues dhe furnizues me logjistikë, armë, ekspertë dhe trupa speciale nga Serbia ishin BIA serbe dhe presidenti Vuçiq. Ne i kemi parë me sytë tanë armët e shumta e modern që u përdorën dhe u zbuluan në shtëpinë e Zotit të popit serb. Të përdorësh kishën si depo armatimi për të bërë terror, këtë e panë me sytë e tyre ndërkombëtarët dhe shqiptarët edhe pas ikjes së Milosheviçit. Por ja që Serbia nuk defashistizohet edhe pse Hitleri i Ballkanit ka shkuar te të shumtët”, shprehet Bytyçi për “Bota sot”.

Por pavarësisht sigurimit të të gjithë këtyre fakteve, Bytyçi tregon pse nuk po ngritët aktakuzë për sulmin terrorist serb.

“Megjithëse të gjitha këto fakte dolën në dritë të diellit, as prokuroria e posaçme e Kosovës, as ndonjë organ tjetër hetimor nuk po veprojnë. Nuk veprojnë për të zbardhur të vërtetat më të hidhura të pasluftës në Kosovë. Ky është turp, nuk është paaftësi. Është zvarritje pas oreksit të disa politikave të disa ndërkombëtarëve. Këta të fundit mesa duket duan ta shfrytëzojnë Banjskën dhe aktin terrorist të saj për t’i bërë presion presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, që ta lidhë qerren e tij pas perëndimit. Por siç thoshte një medie gjermane sot, Vuçiq është i lidhur ngushtë me Moskën. Megjithatë jo pak diplomatë e politikanë në Evropë e SHBA shpresojnë e ndoshta besojnë ende se ai mund të ndërrojë trenin në drejtim të integrimeve euro-atlantike, gjë që nuk ka shanse të ndodhë”, thekson Bytyçi.

“Unë besoj se kjo kategori ndërkombëtarësh ia kanë bërë me dije presidentit të Serbisë se ata janë në dijeni të implikimit të tij në aktin e terrorit në Banjskë. Dhe duan që t’i bëjnë presion për këtë. Nëse prokuroria speciale e Kosovës formulon akt-akuzë, atëherë Vuçiq mund të zemërohej dhe të thoshte “JO” për bashkëpunim me Perëndimin. Në fakt, siç e thashë, ai nuk bashkëpunon. Thjesht kërkon të fitojë kohë. Por këta besojnë aq shumë sa nganjëherë më duken aq naivë. Në njëfarë mënyre kanë të drejtë të besojnë, sepse nuk mund të besojnë që dikush që jep fjalën është aq gënjeshtar sa Aleksandër Vuçiq. Gjithsesi Banjskën po e përdorin”, deklaron profesor, doktor Enver Bytyçi.

Ai thotë se duke përdorur Banjskën, kjo kategori diplomatësh nuk lejojnë që prokuroria të ngrejë akt-padi.

“Kjo do të thotë se kur këmbëngul qeveria, ndërkombëtarët i bllokojnë proceset përmes gjyqësorit. Kjo praktikë është shumë e rrezikshme, për mendimin tim. Edhe prokuroria e Kosovës duhet të çlirohet nga ndërhyrjet politike e diplomatike dhe të bëjë punën e saj. Nuk është në interesin e Kosovës që ngjarja, ky akt terrorist i pashembullt, të mos ndëshkohet. Kosovës nuk duhet t’i interesojë fati i Serbisë dhe as i presidentit të saj. Kosova duhet të kujdeset për fatin e vet”.

Sipas Bytyçit, prokuroria duhet të marrë në hetim e të bëjë padi jo vetëm për Radojeçiq e grupin e tij.

“Por edhe për priftin e kishës ortodokse të Banjskës. Popi duhet të japë llogari për shkelje të ligjeve të shtetit dhe shndërrimin e kishës në depo armësh. Madje dhe për ndihmën që i ka dhënë këtij grupi terrorist. Përdorimi I kishës për akte dhune e terrori duhet ndëshkuar si akt, jo vetëm se këtë nuk e pranon as Zoti, por edhe se duhet dhënë mësimi i duhur. Kisha ortodokse e Kosovës duhet të shkëputet nga praktikat, mentaliteti, logjika nacionaliste e fashiste e Kishës Ortodokse Serbe. Vetëm në këtë rast mund të bëhet paqe të pajtohen për zgjidhjen e çështjeve që janë në dialog”, shprehet Bytyçi.

Për fund, Bytyçi tregon edhe se çfarë duhet të bëjë qeveria e Kosovës, në rast se vazhdon të mos ngritët asnjë aktakuzë për sulmin terrorist të 24 shtatorit.

“Qeveria e Kosovës duhet ta paralajmërojë publikimin e të gjithë dosjes së implikimit të autoriteteve serbe në aktin terrorist të Banjskës. Ndryshe praktikat e ndërhyrjeve dhe presionit ndaj gjyqësorit do të vazhdojnë. Dhe nëse nuk bëhet akt-padi për të akuzuarit, atëherë ky publikim duhet adresuar te mediet ndërkombëtare. Ndryshe Banjska mund të përsëritet. Ne kemi parë se si përsëriten krimet e ndëshkuara e jo më atë të pandëshkuarat. Mosndëshkimi i këtij akti, nesër do t’i bëjë bashkëfajtorë edhe prokurorët specialë të Kosovës, kur rasti mund të ndodhë sërishmi”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.