Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama kërkoi përkrahje nga Bashkimi Evropian për shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Ai tha se integrimi evropian shkon përmes integrimit rajonal. Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se përmes këtij Plani, procesi i integrimit në BE do të jetë i prekshëm edhe për qytetarët. Përmes këtij Plani, Rama ka theksuar se do të ketë më shumë financim nga BE për projekte dhe për buxhetet e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Plani i ri i Rritjes, është një platformë kyçe për të përshpejtuar hyrjen në BE dhe është një instrument që do bëjë procesin të prekshëm për njerëzit. Solla shembullin e kostos së transaksioneve financiare. Ne në Shqipëri dhe rajon kemi shumë qytetarë që jetojnë jashtë duke punuar atje ndihmojnë familjen. Për çdo para që dërgojnë kostoja e transaksionit është 6 herë më e lartë se ajo mes shteteve anëtare të BE. Plani i ri i Rritjes do na ndihmojë ta çojmë koston në nivel me atë të vendeve anëtare, pra do kursejmë gjysmë miliard euro”, ka theksuar ai.
Sipas tij, plani ri i rritjes sjell më shumë fonde për projektet dhe buxhetet.
“Përpjekjet që kemi bërë në 10 vite për të ecur drejt integrimit, përmes planit të ri të Rritjes, tanimë duhet të ndodhin pa “por” apo arsye politike për të mos bërë marrëveshje. Dua të përfitoj tu them se kur flisnim sa e rëndësishme ishte të ecej shpejt përmes rrugëtimit rajonal dhe për të qenë më pranë me marrëveshje ndërkufitare, është e qartë që po të kishim bërë më shumë më parë do ishim më afër”, ka theksuar Rama.
Ndërsas, komisioneri Varhelyi, në konferencën e përbashkët me kryeministrin Edi Rama, ka thënë se vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor do të marrin ndihmë 6 miliadë euro. Ai ka theksuar se deri në vitin 2027 Rajoni do marrë të njëjtin intensitet ndihme.
“Shumica e reformave kanë koston e tyre financiare, por jemi të gatshëm të zbusim koston ndaj udhëheqësit e KE kanë vendosur, 6 miliard euro duhet të ndihmojnë rajonin. Kjo është sasia e fondeve që i jepen vendeve anëtare. Deri në 2027 rajoni do marrë të njëjtin intensitet ndihme. Pas 2027 do ishte e vështirë që rajoni të thoshte nuk jemi gati akoma. Në 10 vite rajoni duhet të dyfishojë ekonominë”, ka deklaruar ai.
Varhelyi ka deklaruar se Plani i Ri i Rritjes ka qenë i konceptuar pikërisht në Tiranë, teksa shtoi se do të shërbejë si një mekanizëm për të treguar përfitimet ekonomike të një vendi përpara se të bëhet shtet anëtar i BE-së. Sipas përllogaritjeve të BE-së, Varhelyi ka theksuar se pritet që rajoni të dyfishojë ekonominë e tij në 10 vitet e ardhshme.