Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka deklaruar se nuk ka asnjë arsyetim pse Kosova nuk është e pranishme në Tiranë në Samitin e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian.
Në një postim në Facebook, ai ka thënë se nuk ka agjendë më të rëndësishme për Qeverinë e Kosovës se samiti në Tiranë, përveç ndonjë emergjence kombëtare.
“Jam i sigurt se ligjëratat nëpër Irlandën Veriore janë vetëm pretekst për të ikur nga ky takim. Samiti në Tiranë është vendi për të prezantuar nevojat dhe projektet, si dhe për të bërë konsultimet e nevojshme me partnerë. Aty është vendi për të insistuar dhe avokuar për zhbllokimin e 300 milionë eurove për projekte për shkak të masave të BE-së ndaj Kosovës”, ka shkruar ai.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës do të duhej të bënte konsultime të ngushta me Qeverinë Rama përpara këtij samiti.
“Sipas komisionarit për Zgjerim, Oliver Varhelyi, plani i BE-së për rritjen ekonomike të Ballkanit Perëndimor është konceptuar në Tiranë. Rrjedhimisht, Qeveria e Kosovës do të duhej të bënte konsultime të ngushta me Qeverinë Rama përpara këtij samiti”, ka përfunduar Hoti.
Në Samitin rajonal mbi Planin e Rritjes në Tiranë nuk do të merr pjesë fizikisht kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kurti do të jetë pjesë e Samitit virtualisht përmes një video-adresimi. Kështu ka konfirmuar për KosovaPress zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.
Ai ka treguar arsyet përse Kurti nuk do të jetë pjesë e këtij samiti fizikisht.
“Për shkak të angazhimeve të mëparshme, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk do të jetë i pranishëm fizikisht në Samitin e sotëm në Tiranë. Megjithatë kryeministri Kurti do të jetë pjesë e Samitit virtualisht përmes një video-adresimi”, thuhet në përgjigjen.
Të enjten në Tiranë mbahet Samiti rajonal mbi Planin e Rritjes dhe Konvergjencës me fokus integrimin e Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian, si edhe zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Ky samit mbahet një ditë pas atij Ukrainë-Evropa Juglindore në kryeqytetin shqiptar dhe do të ofrojë mundësi të reja për një shkëmbim pikëpamjesh mbi të ardhmen evropiane të rajonit dhe mbi sfidat e përbashkëta rajonale.
Në samit do të jetë i pranishëm edhe komisionari i Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi.