Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, është shprehur pas Samitit të BE-Ballkani Perëndimor se BE-ja dhe SHBA-ja janë kundër regjimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, sa i përket çështjes për dinarin serb.
Vuçiç u tregua i gatshëm që të ulet në bisedime, pasi sipas tij do të ketë probleme të mëdha për serbët që jetojnë në Kosovë.
Sipas tij të thuhet se ndalimi i dinarit u bë nga BQK, është një mendjemadhësi hipokrite që nuk e beson askush.
“Keni dëgjuar gjithë ndërmjetësuesit tanë, të gjithë përfaqësuesit ndërkombëtarë përfshirë njerëz nga SHBA-ja dhe jo vetëm nga Bashkimi Evropian, që janë kundër veprimeve të njëanshme të bëra nga regjimi i Kurtit në Prishtinë.
Asnjë nuk e kupton pse po e bëjnë këtë. Të thonë se u bë nga Banka Qendrore është një lloj mendjemadhësie hipokritike që nuk i beson askush. Shpresoj të veprojnë në mënyrë më të arsyeshme në të ardhmen.
Ne gjithmonë kemi qenë të gatshëm të flasim për gjithçka, për çdo çështje. Kemi dërguar delegacionin me kryenegociator në Bruksel për të biseduar, por pala tjetër nuk erdhi. Shpresoj të gjejmë mënyra për ta zgjidhur. Përndryshe do të bëjë probleme të mëdha për serbët që jetojnë në Kosovë”, tha Vuçiç.