Gjykata Themelore në Prishtinë ka reaguar ndaj postimeve në lidhje me aktgjykimin ndaj kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili më 26 shkurt 2024 është liruar nga akuza për hjedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend.
Në reagimin e Gjykatës, thuhet se postimet me etiketime dhe fjalor fyes ndaj Gjykatës dhe gjykatëses Edita Çanta në lidhje me aktgjykimin në fjalë, cenojnë rëndë figurën e gjyqtarit, pavarësinë e tyre dhe besimin e publikut ndaj gjyqësorit.
Reagimet e tilla, thuhet se ndikojnë negativisht në pavarësinë dhe paanësinë e gjyqtarëve.
Andaj, Themelorja ka bërë thirrje për përmbjajte në komentimin e vendimeve gjyqësore, duke theksuar se vendimet i merr në bazë të provave të administruara.
Reagimi i plotë:
“Prishtinë 29 Shkurt 2024 – Gjykata Themelore në Prishtinë ka ndjekur me shqetësim publikimin e postimeve të datës 26 shkurt 2024 me etiketime dhe fjalor fyes ndaj gjykatës dhe gjyqtares së kësaj gjykate znj. Edita Çanta, në lidhje me shpalljen e Aktgjykimit të datës 26 shkurt 2024, ku i akuzuar ishte Glauk Konjufca.
Gjykata, konsideron se këto publikime cenojnë rëndë figurën e gjyqtarit, pavarësinë e tyre dhe besimin e publikut ndaj sistemit gjyqësor dhe si të tilla ndikojnë negativisht në pavarësinë dhe paanësinë e gjyqtarëve në misionin e tyre për dhënien e drejtësisë.
Gjykata Themelore Prishtinë, fton opinionin publik që të përmbahen në komentimin e vendimeve gjyqësore pasi që gjykata vendimet i merr në bazë të provave të administruara në shqyrtim gjyqësor dhe si të tilla vendimet e gjykatës së shkallës së parë nuk janë përfundimtare, mund të vlerësohen nga gjykata e shkallëve më të larta sipas mjeteve të goditjes”.
Ndryshe, Konjufca është liruar nga akuza pasi nuk është provuar se ka kryer veprën që i vihej në barrë “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.