Ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Jeff Hovenier, në një bashkëbisedim me gazetarët në Ambasadën amerikane në Prishtinë, ka folur rreth insistimit të Kosovës për nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe Aneksit të Implementimit.
I pyetur rreth ndonjë modaliteti për nënshkrimin e Marrëveshjeve, Hovenier ka thënë se vetëm mund të përsëris qëndrimin e SHBA-së, që i konsideron të zyrtarizuara dhe ligjërisht obligative marrëveshjet në fjalë.
Ai ka thënë se SHBA këtë gjë e ka deklaruar publikisht për Kosovën dhe për Serbinë.
Ai tutje ka thënë se SHBA nuk është pjesë e lehtësimit të negociatave, derisa ka bërë të ditur se emisari sllovak, Miroslav Lajcak ia ka dhënë qeverisë së Kosovës një sërë idesh apo opsionesh të tjera për t’i shqyrtuar se si marrëveshjet mund të zyrtarizohen në një mënyrë që të jetë më e kënaqshme për Qeverinë e Kosovës.
Diplomati amerikan ka thënë se për këtë duhet pyetur Qeveria e Kosovës, nëse propozimet e bëra janë të mjaftueshme.
“Ajo që unë di është se ai (Lajcak) i ka dhënë qeverisë një sërë idesh apo opsionesh të tjera që ata të shqyrtojnë se si kjo gjë mund të zyrtarizohet në një mënyrë që të jetë më e kënaqshme për qeverinë e Kosovës, sepse jam i vetëdijshëm se ky është një shqetësim që kryeministri është ngritur shpesh, ashtu si edhe zyrtarë të tjerë të qeverisë. Por unë mendoj se ju duhet t’i pyesni ata nëse ndonjë prej këtyre opsioneve është parë si i mjaftueshëm apo jo”, ka thënë Hovenier.