Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Çfarë tha sot Hovenier në takim me gazetarët? Këto janë shtatë çështjet kryesore për të cilat foli ambasadori amerikan

 
   

Ambasadori Amerikan, Jeff Hovenier ka mbajtur një takim me gazetarë pasditen e sotme me të cilët ka diskutuar rreth disa çështjeve të ndryshme lidhur me SHBA dhe Kosovën. Por cilat ishin disa nga temat kryesore të këtij takimi?

Ambasadori Hovenier foli për çështjen e dinarit serb, duke thënë se nuk po e mbrojnë dinari, por kanë vërejtje për mënyrën se si po zbatohet rregullorja e BQK-së.

Ai shtoi po ashtu se nuk e përkrahin qeverinë për mënyrën se si po e menaxhon këtë situatë.

“Nuk po e mbrojmë dinarin. Kemi vërejtje te mënyra se si po zbatohet rregullorja e BQK-së. Është dashur të konsultohen serbët e Kosovës, ka pasur nevojë të njoftohet Serbia, se ajo i dërgon paratë. Serbët nuk mund të kenë të drejtë vetoje, por duhet konsultuar. Nuk tërhiqemi nga kjo kërkesë. Nuk e përkrahim Qeverinë e Kosovës se si po e menaxhon këtë çështje”, tha ambasadori amerikan.

Hovenier në këtë takim tha se nuk po shohin partnerë serioz te Qeveria e Kosovës.

“Nuk besojmë që po e përjetojmë partneritetin (me Qeverinë e Kosovës) në nivelin që dëshirojmë ose kemi përjetuar në të kaluarën, gjë që sjell pasoja dhe implikime. Nuk po shohim partnerë seriozë te Qeveria e Kosovës”, shtoi ai.

Sipas Hovenier nuk ka ministra ose individë të pushtetit në Listë të Zezë të SHBA-së.

“Emrat që kanë qarkulluar nuk qëndrojnë. Nëse do të kishte diçka të tillë do ta bënim publike zyrtarisht”, tha ambasadori amerikan në takim me gazetarët.

Ambasadori i SHBA-ve tutje përmendi edhe marrëveshjen e Brukselit dhe atë të Ohrit, duke thënë se nëse nuk përmbushen do të ketë pasoja.

“Marrëveshja e Brukselit dhe ajo e Ohrit janë legalisht obliguese për Kosovën dhe për Serbinë, pavarësisht çka thonë palët. Do të ketë pasoja për Kosovën dhe për Serbinë nëse ato nuk e përmbushin”, ka thënë ai.

I pari i ambasadës amerikane në Kosovë ju përgjigj edhe ministrit për Komunitet dhe Kthim Nenad Rashiq i cili ka thënë se një konferencë ndërkombëtare për dialogun Kosovë-Serbi duket në horizont, meqë ndërkombëtarët janë të lodhur me të dy palët dhe me mungesën e progresit në implementim të marrëveshjeve. E sipas Hovenier nuk ka nevojë për këtë konferencë, pasi që siç tha ambasadori ekziston Marrëveshja e Brukselit.

Ambasadori tha se SHBA nuk do të ndëshkojë Kosovën.

“Nëse dikush mendon se do ta ndëshkojmë Kosovën duke shkuar prapa, kjo nuk do të ndodh kurrë. Ka përfunduar më 2008. Kosova është shtet i pavarur, kështu do të mbetet përgjithmonë”, shtoi ai.

Hovenier më tej ka komentuar letrën e kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, në të cilën ajo konfirmon se ka vija të kuqe kur është fjala për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve me Kosovën, që deklaron se nuk do t’i zbatojë disa nene të kësaj marrëveshjeje.

“Besojmë se Serbia e ka tërhequr letrën drejtuar BE-së për mospranimin e disa pikave të Marrëveshjes së Brukselit, por këtë duhet pyetur direkt Serbinë”, tha ambasadori.