Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në margjinat e Forumit Diplomatik të Antalisë.
Zhvillimet e fundit në dialog, në veçanti zgjedhjet në veri të Kosovës dhe takimi i fundit Kosovë-Serbi në Bruksel, kanë qenë temat e diskutimit në këtë takim.
Në një postim në rrjetin social “X”, Lajçaku e ka cilësuar të dobishme bisedën me Osmanin.
“Diskutuam për zhvillimet e fundit në dialog, në veçanti për zgjedhjet në veri të Kosovës dhe takimin e fundit që e mbajtëm në Bruksel”, ka shkruar ai.
Ditë më parë në Bruksel, Lajçaku është takuar me përfaqësues financiarë të Kosovës dhe të Serbisë për të diskutuar për çështjen e Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, e cila përjashton përdorimin e dinarit serb.