Eksperti amerikan i politikës së jashtme David L. Phillips, ka folur për vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila përmes Rregullores për operacionet për paratë e gatshme, ndaloi pagesat në Kosovë me dinarin serb,
Phillips ka deklaruar për gazetën “Bota sot”, se përdorimi i dinarit, nuk duhet të lejohet në Kosovë.
“Qëllimi është integrimi i serbëve të Kosovës në rrjedhën kryesore të Kosovës. Përdorimi i dinarit nuk duhet të lejohet”, ka thënë ish-drejtori i Programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtat e Njeriut në Institutin për Studimin e të Drejtave të Njeriut në Universitetin Columbia në New York.
Ai ka këshilluar serbët e Kosovës që të shkojnë në Serbi, nëse duan t’i shpenzojnë dinarët.
“Nëse serbët e Kosovës duan të shpenzojnë dinarët e tyre, ata mund të shkojnë në Serbi dhe të shpenzojnë dinarët e tyre atje”, ka shtuar ish-zyrtari i Departamentit i Shtetit.
Më 17 janar, Banka Qendrore e Kosovës miratoi një rregullore për operacionet për paratë e gatshme, sipas së cilës, monedha e vetme që lejohet për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme në Kosovë është euro.
Rregullorja ka hyrë në fuqi me 1 shkurt.
Bashkimi Europian ka kërkuar që çështja e rregullores së BQK-së të diskutohet në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Emisari special për dialogun Miroslav Lajçak, zhvilloi të martën në Bruksel, takime të ndara me palët nga Kosova dhe Serbia dhe më pas takimin trepalësh, ku temë kryesore ishte Rregulloja e BQK-së.
Pas takimit, Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, i ka thënë Rel-it se gjatë takimit janë diskutuar modalitetet teknike se si mundet të vazhdojë financimi nga Serbia, përmes kanaleve ligjore dhe transparente në llogari bankare të përfituesve në euro, bazuar në propozim e BQK-së dërguar te Banka Popullore e Serbisë.
“Nuk ka asgjë tjetër dhe as nuk kemi pranuar diskutime tjera”, ka thënë Ismaili.
“Rregullorja është në fuqi dhe nuk ndryshohet. Zbatimi i saj nuk vihet në diskutim. Mundësi ligjore ka për transfer legal. Nëse gjithmonë Serbia ka gatishmëri t’i shfrytëzojë ato”, është shprehur ai.