Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

“Rreziku ekziston në vazhdimësi”/ Paralajmërimi për një sulm tjetër nga Serbia – këto janë prapaskenat!

 
   

Sulmi i fundit në Banjskë mbetet ende një temë diskutimi edhe tek ndërkombëtarët.

Terroristët nuk janë dënuar ende, po ashtu edhe Radoiçiq është në arrati.

Mirëpo së fundmi mori vëmendjen një shkrim i publikuar në “The Times”.

Tri ditë para sulmit në veri të Kosovës nga i cili mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku, një ekspert për çështje të sigurisë në Shtëpinë e Bardhë ka marrë një telefonatë shqetësuese nga inteligjenca amerikane.

“The Times” ka publikuar pjesë nga dëshmia e tij, ndërsa tregonte se forcat serbe po akumuloheshin në kufirin me Kosovën, aty ku paqen dhe sigurinë e monitoron prezenca e forcave të NATO që prej luftës në vitin 1999. Sipas “The Times”, tri ditë pas këtyre informacioneve serbët e armatosur kryen sulmin në Banjskë.

Shqetësuese në shkrimin e “The Times” është fakti se ka dyshime që Serbia po përgatit një operacion tjetër ushtarak, referuar të dhënave të një zyrtari amerikan të inteligjencës.

Këto shqetësime sipas “The Times” nuk kanë rënë në vesh të shurdhët. Me qëllim që të zmbrapset Serbia këshilltari i sigurisë së SHBA-ve, Jake Sullivan aprovoi një kërkesë për të de-klasifikuar elemente të lëvizjeve ushtarake serbe.

Të gjendur në këtë situatë a mund të ketë ndonjë sulm të radhës nga Serbia në Kosovë?

Dugolli: Qeveria e Kosovës si asnjëherë më parë i ka rritë investimet për mbrojtjen e sigurinë

E në lidhje me këtë temë ka folur deputeti Enver Dugolli që është pjesë e Komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes.

 Image
 Enver Dugolli 
 

Ai thotë se sjellja e Serbisë ndaj Kosovës është e njwjta si ajo nga koha e Millosheviçiqit dhe se lidhja që mban me Rusinë e bën edhe më të rrezikshme situatën.

“Sjellja e Serbisë ndaj Kosovës nuk ka ndryshuar nga koha e Millosheviçit. Madje kisha me thënë se tani ka diçka edhe më të rrezikshme. E ajo është lidhja dhe marrëdhënia me Rusinë. Këtë lidhje me Rusinë Serbia nuk e fsheh e as nuk e mohon. Përkundrazi këtë lidhje e shohin si primare dhe të pashërueshme në interesat e tyre. Nuk ka asnjë lloj sanksioni ndaj Rusisë kur e gjithë bota demokratike i vuri ato kundër agresionit rus mbi Ukrainën”, u shpreh deputeti.

Ndër të tjera, deputeti shton që Qeveria e Kosovës si asnjëherë më parë i ka rritë investimet për mbrojtjen e sigurinë dhe këto investime do vazhdojnë edhe në të ardhmen.

“Dhe kur i shohim të gjitha këto qe i potencova më parë, rreziku ekziston në vazhdimësi. Mirëpo, institucionet tona të sigurisë po kryejnë detyrat e tyre me përkushtim e profesionalizëm për të siguruar rend dhe ligj, paqe e stabilitet. Qeveria e Kosovës si asnjëherë më parë i ka rritë investimet për mbrojtjen e sigurinë dhe këto investime do vazhdojnë edhe në të ardhmen. Siguria e vendit, rendi dhe ligji për të gjithë si dhe mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit të republikës sonë janë prioritet mbi prioritete”, foli Dugolli për “Bota sot”.

Mehazi: NATO ishte në dijeni për sulmin në Banjskë

Ndërsa, profesori Sulejman Mehazi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, shprehet se policia e Kosovës ka qenë në dijeni për sulmin në Banjskë, pasi NATO në vazhdimwsi ka monitoruar sigurinë e pjesës së veriut.

 Image
 Sulejman Mehazi 
 

“Suksesi i policisë së Kosovës në Banjskë tregoi se qeveria e Kosovës ka qenë në dijeni para se  terroristët serbë të Radojçiqit të sulmojnë për vrasje policin hero të Kosovës, Afrim Bunjakun, këtë e vërteton edhe eksperti për çështje të sigurisë në Shtëpinë e Bardhë i cili tri ditë para  sulmit eksperti amerikan lajmërohet nga inteligjenca amerikane se në Banjskë terroristët serbë përgatiten për të sulmuar policinë e Kosovës në veri nga Banjska e Zveçanit. Është e pamundur dhe e pabesueshme që forcat e NATO-s mos të kishin vëzhguar se çfarë ndodh, e ç’ përgatitje bëjnë terroristët në Banjskë?, pasi  forcat e NATO-s  kanë monituruar siguri pikërisht në pjesën veriore të Zveçanit, dhe del se forcat e NATO-s kanë qenë në dijeni se terroristët serbë do sulmojnë forcat policore të Kosovës. Më e keqja është se në tekstin e mëtejshëm të “The Times” sipas zyrtarit amerikan të inteligjencës paralajmërohet se pas Banjskës do ketë operacione tjera ushtarake serbe në Kosovë”, shpjegon profesori.

Në fund, ai thekson që Kosova duhet të jetë e gatshme dhe e kujdesshme për çdo sulm tjetër eventual, duke potencuar një rrezik për Ballkanin Perëndimor.

“Këto informacione nga inteligjenca amerikane na bëjnë me dije se Kosova duhet të jetë e gatshme, e kujdesshme, e përgatitur për ndonjë sulm tjetër nga ana e forcave ushtarake e policore serbe në Kosovë. Sikur BE-ja, SHBA-të e NATO janë dorëzuar para Putinit të Rusisë për përhapjen e një lufte të re në shtetet e Ballkanit Perëndimor që nga Kosova, Bosnjë-Hercegovina, Mal të Zi, po dhe me fitoren e partisë pro-ruse të VMRO-se gjatë zgjedhjeve parlamentare në RMV mund të  bëhet një koalicion i rrezikshëm të shteteve pro-ruse në Ballkanin Perëndimor në krye me Vuçiqin e Serbisë. Duket sikur BE-ja, SHBA-të e NATO më shumë japin frymë lufte sesa paqeje në Ballkanin Perëndimor”, përfundoi Mehazi për “Bota sot”.