Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për situatën në shëndetësi, të mbajtur më 29 Shkurt 2024, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, u përball me kritika të forta nga ana e deputetëve të opozitës lidhur me gjendjen e sigurimeve shëndetësore dhe menaxhimin e sistemit shëndetësor në përgjithësi.
Në këtë seancë deputetja Albena Reshitaj, kritikoi ministrin Arben Vitija se pse nuk është duke vepruar në Qendrën Klinike Stomatologjike Universitare të Kosovës, ku drejtori i kësaj Qendre Klinike Stomatologjike ka keqpërdorë detyrën e tij të punës duke emëruar gruan e vet si zyrtare udhëheqëse në depon kryesore të Qendrës Klinike Stomatologjike Universitare të Kosovës.
Ministri Arben Vitia shpreh mirëkuptimin për kritikat e deputetes Reshitaj, duke pranuar se keqpërdorimi i detyrës së drejtorit të Qendrës Klinike Stomatologjike Universitare të Kosovës, është shkelje, por shtoi se ai nuk mund të vepronte në këtë situatë.
Emërimi i një personi të afërt të drejtorit te Qendrës Klinike Stomatologjike Universitare te Kosovës në një pozitë kyçe në qendër shëndetësore nxit shqetësime lidhur me konfliktin e interesit dhe përdorimin e pozitës për përfitime personale.
Ky moment në seancën e Kuvendit të Kosovës shënoi një moment kritik për menaxhimin dhe integritetin në sistemin shëndetësor të vendit. Debatet dhe kritikat e ngritura nga opozita reflektojnë nevojën për ndryshime dhe përgjegjësi më të madhe në rregullimin e këtyre çështjeve të ndjeshme për qytetarët e Kosovës. Qytetarët kërkojnë përgjegjësi dhe masa të menjëhershme për të korrigjuar këto abuzime dhe siguruar që rregullat dhe ligjet të zbatohen pa përjashtim në të ardhmen.