Një fëmijë dyvjeçar të dielën është dërguar pa shenja jete në Spitalin e Gjilanit. Lajmin e ka konfirmuar drejtori i Spitalit të Gjilanit, Arsim Emini. Sipas tij, fëmija nuk ka pasur ndonjë traumë ose shenjë të dhunës fizike, mirëpo siç tha ai, nga mjeku kujdestar është cilësuar si vdekje e dyshimtë.
“E vërtetë është sjellë një fëmijë pa shenja jete në spital. Nuk ka pasur të dhëna prej familjarëve që ka qenë e sëmurë. Përveç, familjarët që e kanë përmend që ka pas një plogështi dhe si duket sipas tyre e kanë gjetur në dhomë të vdekur.
Është sjellë në spital pa shenja jete, nuk ka pas shenja të traumës apo të dhunës fizike. Prej mjekut kujdestar kjo është vlerësuar si vdekje e dyshimtë. Janë lajmëruar policia dhe me urdhër të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML”, ka thënë Emini për Telegrafin.
Edhe në raport të Policisë bëhet e ditur se rasti është duke u hetuar, ku theksohet se fëmija është dërguar nga Novobërda pa shenja jete në Spitalin e Gjilanit.
“Është raportuar se në Spitalin Rajonal është dërguar pa shenja jete viktima mashkull kosovar. Vdekjen e tij e ka konstatuar mjeku kujdestar, ndërsa me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion. Rasti nën hetime”, thuhet në raport.