Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla- Schwarz, tha se deri në vitin 2030, në aspektin diplomatik, gjuha kërcënuese duhet të ndëshkohet në mënyrë që sipas saj, në të ardhmen mos të ketë luftë
Kështu u shpreh Gërvalla gjatë konferencës “Diplomacia Parlamentare për Sigurinë dhe Integrimin Euro-Atlantik”.
Por që sipas Gërvallës, kjo nuk varet vetëm nga Kosova pasi siç tha ajo, duhet parandaluar pengesat dhe të veprojmë në të tashmen për ata që pengojnë rajonin tonë.
“Nuk varet vetëm nga Kosova se ku do të gjendemi. Deri në atë vit shumë gjëra do të ndryshojnë dhe projektimet tona më të mira mund të ndodhin deri atëherë. Për shembull duhet të kemi një gjuhë të qartë, për pengesat, për ata që po e pengojnë rajonin tonë. Pra, të gjithë miqtë, aleatët, partnerët tanë, si do të jenë të pranishëm në rajon duke dhënë sinjalet e duhura që luftërat në të ardhmen nuk do të tolerohen. Për t’i parandaluar duhet të veprojmë në të tashmen përndryshe do të jemi në të njëjtën pozitë sikurse në vitet 90-të dhe nëse nuk përdorim parandalimin, atëherë do të jemi tepër të zënë për të gjetur strategjitë e duhura, për të përfunduar diqka që do të mund ta parandalonim lehtë po të kishte vullnet, analizë dhe persona të duhur”, tha Gërvalla.