Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bëre të ditur se është afër të formohet policia e kryeqytetit në Prishtinë.
Rama tha se ky do të jetë një hap shumë i rëndësishëm për të rritur sigurinë dhe mirëqenien e Prishtinës, përcjell IndeksOnline.
Postimi i plotë:
Gati jemi me formimin e policisë së Kryeqytetit.
Jemi në rrugë të mbarë për të finalizuar procedurat për Strukturimin e Policisë së Kryeqytetit, një hap tepër i rëndësishëm për të rritur sigurinë dhe mirëqenien në qytetin tonë.
Sot, në një takim me udhëheqësit kryesorë të Policisë së Republikës së Kosovës, Drejtorin e Përgjithshëm, Gazmend Hoxha, Drejtorin e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Basri Shabani dhe Drejtorin e Departamentit të Operacioneve në Polici, Arbnesh Ajvazin, diskutuam detajet për organizimin e drejtorisë së re e cila do të funksionojë në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë.
Gjatë takimit theksuam rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë mes Kryeqytetit dhe Policisë, veçanërisht për të adresuar sjelljet që dëmtojnë jetën publike, duke u fokusuar në intensifikimin e masave ndaj atyre që hedhin mbeturinat jashtë vendeve të caktuara dhe parkojnë mjetet e tyre duke penguar kompaninë “Pastrimi” të kryejë shërbimin, dhe ndaj atyre që parkojnë makinat në mënyra që pengojnë qarkullimin dhe qetësinë publike.