Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Dënohet me 3 vjet e 6 muaj burgim i akuzuari për përgatitje të sulmit terrorist ndaj komunitetit LGBTI

 
   

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit për përgatitje të sulmit terrorist ndaj komunitetit LGBTI, Blend Vrajolli, duke e dënuar me 3 vjet e 6 muaj burgim.

Vrajolli, akuzohej nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës për veprën penale “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Aktgjykimi ndaj Vrajollit u shpall të martën nga gjykatësja Valbona Musliu-Selimaj.

Në dënimin me burgim, të akuzuarit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Gjykatësja Musliu-Selimaj tha se të akuzuarit me vendim të veçantë do t’i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmëri të vendimit.

Ndryshe, aktgjykimi u shpall në mungesë të të akuzuarit Vrajolli.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 15 shtator 2023, ka ngritur aktakuzë kundër Blend Vrajollit, me nofkën “Ebu Ubejdi“, i cili ngarkohet se më 21 shkurt 2023, me rastin e udhëtimit nga Arabia Saudite përmes Aeroportit të Shkupit për në Kosovë, e me rastin e ndaljes dhe kontrollit në pikën kufitare Hani i Elezit, në stop-listë e duke sjellë mesazhin dhe harta të pranuara përmes profilit të tij “Proxyal“ në rrjetin social “Telegram“ të pranuar nga personi me emrin “Dagllas” Muhaxheri, ka bërë përgatitje të sulmeve terroriste në Kosovë.

Sipas aktit akuzues, thuhet se Vrajolli kishte bërë përgatitje të sulmeve terroriste në Kosovë, me materie të rrezikshme dhe vdekjeprurëse për jetën e njerëzve në kombinim me nitrate dhe kalcium, në sheshin e Prishtinës ndaj pjesëtarëve të komunitetit LGBTI dhe në pikën kufitare Merdar, ku në të njëjtën ditë ai arrestohet nga Policia e Kosovës.

Me këto veprime, Vrajolli akuzohej se ka kryer veprën penale “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, nga neni 138, paragrafi 1  lidhur me veprën penale kryerja e veprës terroriste nga neni 129, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).