Tre persona mbrëmë kanë tentuar të kryejnë grabitje në tre lokacione të ndryshme në Krushë të Madhe.
Lajmin e ka konfirmuar Drejtori rajonal i Policisë së Gjakovës, Lumni Graishta.
Graishta ka thënë se hajnat në dy shtëpi kanë arritur të depërtojnë ndërsa në njërën janë vërejtur nga familjarët.
“Kanë ndodhë tri tentim grabitje, dy prej tyre kanë arrit me depërtu ndërsa në shtëpinë e tretë janë vërejtur prej familjarëve dhe të dyshuarit kanë hapur zjarr në drejtim të tyre”, ka thënë Graishta.
Më tutje ai ka bërë të ditur se i kanë indikacionet se kush mund të jetë kryesi.
“Ekipet e policisë së Rahovecit dhe hetimet rajonale kanë dalur në vend të ngjarjes, janë marrë disa veprime, ne kemi disa indikacione se kush mund të jetë kryesi, megjithatë jemi në fazë fillestare të hetimit”, ka thënë Graishta.
“Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe konfiskuar një gëzhojë e pistoletës”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës.
Raporti i plotë:
Krushë e Madhe , Rahovec / 04.03.2024-19:00. Është raportuar se tre persona të dyshuar të panjohur të armatosur, kanë tentuar të kryej grabitje në tre lokacione të ndryshme dhe janë larguar në drejtim të panjohur. Njësit relevante kanë dal në vendin e ngjarjes ku është gjetur dhe konfiskuar një gëzhojë e pistoletës. Nuk raportohet për të lënduar dhe rasti është në procedurë hetimore.