Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Sociologu Gëzim Tushi: Kuvendi është kthyer në arenë gladiatorësh, gjendja është kritike

Gjatë një interviste televizive, sociologu i njohur Gëzim Tushi, ka komentuar situatën e krijuar prej muajsh në Kuvend, aq sa në disa raste ka degraduar edhe në dhunë verbale dhe fizike.

I tillë ishte edhe rasti i deputetit Flamur Noka ditën e djeshme, i cili pati konfrontime me punonjësit e Gardës.

Sipas sociologut Tushi, Kuvendi është kthyer në një arenë gladiatorësh, ku deputetët përleshen me të gjitha llojet e mjeteve, por vetëm arma ka mbetur pa u përdorur.

“Anomali thelbësorë dhe mungesa e një deontologjie të saktë për deputetët. Ata janë elita, janë ata që janë caktuar jo vetëm për të drejtuar politikën e vendit, po edhe për të dhënë shembull qytetarie. Në politikë ka kontradikta, por problem është se deputetët tanë më shumë se janë politikanë, duket sikur janë militantë të vënë në llogore. Politikës ja kanë humbur esencën si zinxhir i zgjidhjes së problemeve dhe e kanë kthyer në arenë gladiatorësh. Aula e parlamentit është kthyer në arenë gladiatorësh ku përleshen me të gjitha llojet e mjeteve, vetëm armët nuk janë përdorur. Të gjitha janë përdorur, nga grushtet, dhuna verbale, psikologjike, flakadanë. Janë kthyer në armiq personal, janë disa grupe që kanë sherr të personalizuar nga arsyet më të ndryshme”, tha sociologu Tushi.

Tushi ngriti shqetësimin edhe dhunën verbale ndaj grave deputetet.

Sipas tij, duhet të ketë penalizime për të gjithë ata deputetë që përdorin fjalë s*ksiste, apo dhunojnë verbalisht një grua deputete.

“Dhuna verbale, fizike, metaforike që përdoret sidomos ndaj grave. Jo vetëm u ndërpritet fjala më shumë se burrave. Më ka bërë përshtypje vende siç është Bolivia, ka dy ligje bazë për të mbrojtur gratë nga dhuna në parlament, nëse një burrë përdor fjalë të dhunshme ndaj gruas në politikë, konsiderohet vepër penale. Kur i ka Bolivia, më vjen turp që si kemi ne që jemi vend europian. Duhej t’i penalizojmë deputetë që sillen ndaj grave shumë keq, shpesh herë edhe me fjalë s*ksiste. Gjendja është kritike”, vijoi sociologu.

Kjo panoramë dhune për sociologun Gëzim Tushi, përcillet edhe në segmente të tjera të shoqërisë, prandaj ai thekson se duhet gjetur një zgjidhje sa më parë, duke e cilësuar gjendjen kritike.

Sociologu propozon ‘filtera’ apo disa kritere në përzgjedhjen e kandidatëve për deputetët, si etika, formimi, marrëdhëniet njerëzore etj.

“Kur ne e kemi këtë situatë në aulën kryesore të demokracisë llogarisni se ca ndodh në nivelet më të ulëta. Kjo lloj gjuhe që përdoret në Kuvend, kjo ndarje si qëllim në vetvete që nuk jep produkt politik, transmetohet si limfë edhe në jetën shoqërore dhe në administratën publike. Është i pranishëm edhe në nivelet e tjera të qeverisjes dhe marrëdhënieve shoqërore.

Duhen parë nga etika, formimi, edukimi, marrëdhëniet njerëzor, nga aftësia për të pasur sociabilitet për tu lidhur me njerëzit. Vrima e gjilpërës për të hyrë në kuvend duhet ngushtuar edhe më shumë në mënyrë që të bëhet institucion i debatit, i komunikimit, jo i dhunës”, u shpreh Tushi.