Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 191-të ka shkarkuar Bordin e Drejtorëve të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor”, që e kishte emëruar vetë në gusht të vitit 2022.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli e ka dhënë arsyetimin e saj lidhur me shkarkimin e këtij bordi, duke shtuar se “bordi nuk ka arritur të sigurojë planifikim dhe mbikëqyrje rigoroze të planit”.
“Bazuar në raportin vjetor për vitin 2022 dhe raportin vjetor për 2023, Kompania Rajonale e Ujit “Hidroregjioni Jugor” në Prizren ka devijuar nga caqet e përcaktuara nga Bordi i Drejtorëve në planin e biznesit. Përveç devijimeve nga plani i biznesit, gjithashtu është evidentuar edhe moskomunikimi i rregullt me njësinë për politika dhe monitorim të ndërmarrjeve publike. Në përgjithësi, konsiderohet se bordi nuk ka arritur të sigurojë planifikim dhe mbikëqyrje rigoroze të planit dhe për këto arsye rekomandojmë shkarkimin”, tha Rizvanolli.
Në po këtë mbledhje u emërua edhe Bordi i Përkohshëm me Ismet Vrapçani – kryesues, Dhurata Gutaj – anëtare, Taulant Tanushaj – anëtar dhe Sibel Halkoshatri – anëtare.