Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Dje filloi punën, ja kush është ambasadori i gjashtë britanik në Kosovë

 
   

Ambasadori i ri britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves të martën i ka dorëzuar presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani letrat kredenciale.

Pas takimit të djeshëm, ku Osmani i uori mirëseardhje Hargreaves, ajo theksoi se marrëdhëniet ndërmjet të dy shteteve janë të shkëlqyeshme dhe shfaqi besimin se zhvillimet pozitive të raporteve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar do të vazhdojnë edhe gjatë mandatit të ambasadorit Hargreaves.

Në takim, siç bëri të ditur presidenca u diskutua edhe për zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në vend, si dhe për procesin e dialogut me Serbinë.

 Image
 Jonathan Hargreaves dhe Vjosa Osmani 
 

Për marrjen e mandatit të të dërguarit të ri të Londrës në Kosovë janë deklaruar edhe nga ambasada britanike.

“Mezi presim të punojmë me Jonathan, ambasadorin e gjashtë të Mbretërisë së Bashkuar në Republikën e Kosovës”, thuhet mes tjerash në një njoftim të kësaj ambasade në Facebook.

Por kush është ambasadori i gjashtë i Britanisë së Madhe në Kosovë?

Ai ishte emëruar ambasador i Britanisë së Madhe në Kosovë në muajin nëntor të vitit të shkuar për ta pasuar Nicholas Abottin.

Hargreaves para se të emërohej për misionin e rij, kishte shërbyer si Përfaqësues Special i Mbretërisë së Bashkuar për Sirinë që nga viti 2020.

Nga viti 2017 deri në vitin 2020, ishte i angazhuar si zëvendësdrejtor në Departamentin për Zhvillim Ndërkombëtar (DFID), në divizionin e Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut.

Ndërkaq, për tre vjet radhazi nga  2014 deri në 2017-tën, Hargreaves e mbajti pozitën e shefit të Departamentit të Qeverisjes, Shoqërive të Hapura dhe Kundër Korrupsionit.