Publicisti Veton Surroi ka thënë se regjistrimi i tokës së Manastirit të Deçanit mund të jetë avancimin i pozitës së Kosovës, përfshirë edhe anëtarësimin në Këshill të Europës.
“Regjistrimi i tokës që i përket Manastirit të Deçanit – vërtetuar nga Gjykata Kushtetuese dhe në një formë nga vetë zyra kadastrale e Deçanit – mund të shënojë një avancim shumë të madh të percepsionit e të pozitës së Kosovës si shtet evropian, përfshirë edhe anëtarësimin në Këshill të Evropës. Pa këtë akt, Kosova do të vazhdojë të trajtohet në zonën e hamendjes”, ka shkruar ai në një opinion të Koha.net.
Ai shkruan se do që ta paramendojë “që Manastiri i Deçanit të kishte edhe dy dimensione të veçanta për Kosovën. Një, të jetë një oazë e kulturës së paqes. Dy, të jetë pika e kthesës për perspektivën evropiane të Kosovës”.
“Oaza e kulturës së paqes do të thotë që Manastiri i Deçanit, me një territor më të gjerë e të paprishur prej ndërtimeve, të shërbejë si vend-tubim për dialog kulturor, metafizik pra. Që të jetë vend-shkas për takime arkitektësh e poetësh, piktorësh dhe mendimtarësh. Që të jetë i vizituar edhe prej gjimnazistëve shqiptarë për të kuptuar rëndësinë që kanë rrëfimet religjioze të freskove për kulturën serbe, atë bizantine, për krishterimin në tërësi. Pra, për të kuptuar një dimension të rëndësishëm të kulturës të Republikës së Kosovës”.
Sipas tij, kjo është e mundur në një bashkëpunim mes Manastirit të Deçanit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës, por, Surroi thotë se kjo është e mundur vetëm nëse vëllazëria e Manastirit dhe institucionet e Republikës së Kosovës ndihen rehat me njëri-tjetrin.
“Vendimi juridik në aktin më të lartë nuk merret me periudhën e para vendosjes së UNMIK-ut, por me procedurën e pasluftës. Gjykata Kushtetuese në fakt e konstaton juridikisht të përfunduar një marrëveshje mes AKM-së (Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit) dhe Manastirit të Deçanit për këmbimin e pronave. Manastiri ia ka dhënë Komunës së Deçanit katër parcela në qendër të qytetit. Këto madje janë regjistruar në Kadastrën e Deçanit si pronë komunale, por e njëjta gjë nuk është bërë ende me 24 hektarët e Manastirit të Deçanit. (Informatat më të hollësishme mund të lexohen në raportin e sapobotuar të ESI-së (Iniciativës për Stabilitet Evropian me seli në Berlin ”A monastery, Kosovo courts and the road to the Council of Europe”. )”.
“Pra, nuk do të ketë më kontestim juridik të kësaj çështjeje; toka i përket Manastirit të Deçanit”.
Dhe, Surroi thotë se këtë në një formë e ka pranuar edhe Agjencia Kadastrale e Deçanit duke regjistruar katër prona që janë përligjur si prona të Komunës së Deçanit ashtu siç kanë vërtetuar të gjitha instancat juridike, përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese.
“Meqë është kështu, atëherë i mbetet Agjencisë Kadastrale të Deçanit ta regjistrojë edhe pjesën tjetër të marrëveshjes së përligjur në të gjitha instancat juridike, atë ku në këmbim të katër parcelave që Manastiri ia jep Komunës i mbeten 24 hektarët e pyllit dhe arave”./Express/